Haskuka deklarohet për videon me të cilën PDK-ja e akuzon për manipulim me vota

Haskuka deklarohet për videon me të cilën PDK-ja e akuzon për manipulim me vota

02 dhjetor 2017 15:50

Mytaher Haskuka, nga Vetëvendosje, i cili mori rreth 260 vota me shumë sesa Shqir Totaj i PDK-së në Prizren, në një konferencë për media ka deklaruar se kjo parti ka shpifur rreth një video ku gjoja se pakot e votimit janë manipuluar.

“Gjatë gjithë procesit nuk ka pasur asnjë vërejtje nga komisionerët. Videoja është marrë dhe është prerë ashtu siç ka dashur dikush. Kjo është shkelje e ligjit pasi personat privatë nuk do të duhej ta kishin këto video. Por, PDK-ja mundohet të shpifë dhe të dezinformojë opinionin me servilët e tyre që punojnë për ta. Në video shihet se sa persona janë pjesë e asaj qendër të votimit”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Ai po ashtu tha se komisionieri i PDK-së ka marrë urdhra nga zyrtarët e lartë të PDK në Prizren të cilët kanë paguar nga 20 euro për bartje.

Sipas tij, shiritat e kutisë në fjalë kanë qenë në rregull dhe votat kanë qenë të njëjta sikurse që janë nënshkruar nga komisionarët.

Haskuka tha se për këtë do të padis për shpifje zyrtarët e PDK-së, Blerand Stavilecin, Kujtim Gashin dhe Betim Xhoshin.

“Ne do të paraqesim kallëzim penal për shpifje për Blerand Stavilecin dhe Kujtim Gashin”.

Ai ka thënë se Mentor Shala, drejtor në RTK, duhet të kërkojë falje për atë se çfarë ka thënë, duke paralajmëruar padi edhe ndaj tij. Shala ka bërë një status në profilin tij në Facebook, ku ka thënë: “Çka ja u merr mendja me i pas vjedh kutitë e votimit tjerat parti kështu ashiqare qysh po shihen në video, qysh kish me reagu VV edhe gjykatat e ‘pavaruna’ të Kosovës? Duhet me ua ba Hallall, s’po guxon kush me u n’i prej tyne, se për gjykatësa e gjykata ishalla zoti na ruan!”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme