Haki Rugova nuk pajtohet me vendimin e PZAP për rivotim në Istog

Haki Rugova nuk pajtohet me vendimin e PZAP për rivotim në Istog

29 nëntor 2017 15:53

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, është ndier i befasuar kur e ka parë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që urdhëron përsëritje të votimeve të balotazhit në këtë komunë.

Ankesat e LDK-së kanë bërë që PZAP ta kthejë në pikën zero garën për balotazh mes Haki Rugovës dhe rivalit të tij nga AAK, Gani Dreshaj.

Por Haki Rugova, në një deklaratë për Kallxo.com, thotë se ky vendim është i papranueshëm.

“Ne do ta kontestojmë vendimin edhe në Gjykatën Supreme dhe të shohim çfarë vendimi po marrin. Anulimi dhe rivotimi është totalisht i papranueshëm për arsye se këtu ka qenë një proces i brendshëm shumë i qetë, shumë i qartë edhe janë pajtuar të gjithë me procesin e brendshëm që ka ndodhur, po flas të kohën për rundin e dytë, gjë se s’ka pasur as vërejtje në rundin e parë’, tha Rugova.

Ai thotë se është “e panevojshme” që votuesit në Istog të thirren edhe një herë që të dalin para kutive të votimit, meqë ankesat e LDK-së kanë qenë të drejtuara në dyshimet për manipulime në votimin përmes postës.

Kallxo.com ka shkruar ditë më parë për pretendimet e LDK-së se persona të vdekur kanë votuar në procesin e votimit përmes postës. Për t’i ilustruar këto pretendime, LDK ka ofruar edhe fotografi të gurëve të varreve të ‘votuesve’.

“Në fund të fundit nuk do ta marr përgjegjësinë e pasojave që mund të ndodhin. Kjo është e organizuar në nivel të shtetit, direkt, direkt prej shtetit duke përdorë disa tipa me blerje të votave nëpër Rozhajë e ku ta di unë’, tha sot Rugova.

“Tash për krejt votat e njerëzve të vdekur, përsëri duhet m’i shti njerëzit e ndershëm dhe votuesit e ndershëm që kanë votuar në bazë vullnetit të tyre m’i shti në zgjedhje edhe njëherë. Kjo është e papranueshme”, tha Haki Rugova.

Vendimi për rivotim ishte kundërshtuar edhe nga Gani Dreshaj i AAK-së.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme