Ymeri: Ata që donin ta përmbysnin vullnetin e qytetarëve u përmbysën vet

Ymeri: Ata që donin ta përmbysnin vullnetin e qytetarëve u përmbysën vet

26 nëntor 2017 21:38

Sikur katër vite më parë, nën brohoritjet “Albin Kurti”, “Vetëvendosje”, “Shpendi”, “Fitore”, qindra qytetarë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë në sheshin “Skënderbeu” për të festuar fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë. Ndërkaq zyrtarë të këtij subjekti thanë se ata që donin ta përmbysnin vullnetin e qytetarëve u përmbysën vet.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se Prishtina është qytet i gjithë qytetarëve dhe ashtu edhe do të qeveriset, së bashku me gjithë ata që ia duan të mirën kryeqytetit. Ai nuk la pa përmendur edhe zhvillimet e fundit. Sipas tij, akuzat dhe shpifjet e ndryshme nga subjektet politike, i kanë lodhur qytetarët, mirëpo assesi nuk mund të ndalin vullnetin e tyre për progres në Prishtinë.

Ai nuk la pa shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e votuan, deri tek votat e diasporës. Tutje, Ahmeti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike, që të bashkohen në betejën për një Prishtinë më të mirë.

“Prishtina është e krejt qytetarëve të Prishtinës dhe unë do ta luaj rolin përbashkues, që problemet e Prishtinës dhe interesin e Prishtinës ta kemi mbi të gjitha tjerat. Prandaj edhe prej juve, e di që jeni gëzuar, e di që na kanë luftua, e di që kanë shpifë, e di që na e kanë prua shpirtin në fyt, por po kërkoj prej juve, ashtu si prej vetes, të bëhemi bashkë për të mirën e Prishtinës. Ne duhet të vazhdojmë rrugën që e kemi nisë, sepse po shihet që krimin ende nuk e kemi luftuar përfundimisht në Prishtinë. Në katër vitet e ardhshme zotohemi se do të punojmë me të gjithë ata që ia duan të mirën Prishtinës. Unë po i ftoj të gjitha subjektet politike, të gjithë asamblistët, OJQ-të, qytetarë të vullnetit të mirë, të bashkangjiten në betejën tonë për një Prishtinë më të mirë”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se fitorja e Shpend Ahmetit, është fitore e qytetarëve. Ndërsa theksoi se e njëjta vlen edhe për qytetarët e Prizrenit dhe Kamenicës.

Ai e quajti paksa të vonuar festën në Prishtinë, pasi që zgjedhjet kanë përfunduar më 19 nëntor. E për këtë ai tha se shkaktarë janë tendencat e klaneve politike, përderisa shtoi se vullneti i qytetarëve trimfoi përkundër këtyre klaneve që u bënë bashkë për të luftuar Shpend Ahmetin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Zgjedhjet kanë përfunduar më 19 nëntor, por ja që po e festojmë fitoren një javë pas, sepse gjatë kësaj jave e patë që klani ‘Pronto’ dhe klani i Isa Mustafës u bënë bashkë edhe me patericën e Ramush Haradinajt dhe thoshnin se kemi me e përmbysë rezultatin në Prishtinë. Por këta që donin me e përmbys vullnetin tuaj, u përmbysën vet. Këta bashkë e përdorën edhe PZAP edhe KQZ-në, kundër vullnetit të qytetarëve”, tha ai, përcjell Ksp.

Deputeti i Lëvizjes i Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është në arrest shtëpiak, iu drejtua turmës edhe më një fjalë rasti. Me shaka Kurti tha se në vendimin e gjykatës shkruante arrest shtëpiak, porse ai jeton në banesë me qira, madje ai shfrytëzoi rastin t’i urojë qytetarët edhe për festën e 28 Nëntorit, në rast se nuk do të mund të takohet me ta.

Ndërsa Ahmetin e quajti kryetar të kaluar, të tashëm, dhe të vazhdueshëm të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

“Në atë vendim shkruante arrest shtëpiak, por unë banoj me qira në banesë, nuk kam shtëpi. Edhe banoj në një ndërtesë shumë afër sheshit, aq afër saqë po të ishte ajo banesë shtëpi, sheshi do të ishte oborri im. Kështu që sonte dola në oborr ta festojmë fitoren e Shpend Ahmetit, fitoren e Prishtinës, të të gjithë juve, të çdonjërit prej juve. Fitorja jonë është fitore e të gjithë juve, këtë e dinë të gjithë. Shpend Ahmeti i ka 365 vota më shumë se ai tjetri, pra ka aq ditë sa ka viti, mirëpo Shpendi do të jetë këtu edhe 4 vjet me juve dhe për juve. Faleminderit shumë e urime edhe njëherë fitorja në Prishtinë, në Prizren e në Dardanë. Krejt në fund urime edhe 28 nëntori nëse hiç najqysh nuk shihemi”, tha ai.

Sipas tij, fitorja e Shpend Ahmetit nuk është fitore e ngushtë, pasi që ai fitoi përkundër milionerëve të klaneve politike e mediave të tyre.

Me një fjalë rasti, para qytetarëve që kishin dalë të festonin fitoren e VV-së në Prishtinë, para të pranishmëve foli edhe Islam Pacolli nga AKR, i cili se tha se së bashku me VV-në në qeverisje nuk do të lejojnë asnjëherë që Prishtina të kthehet nën udhëheqjen e atyre që dikur e zhvatën kryeqytetin.

Krejt në fund, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ftoi qytetarët e Prishtinës që të jenë të matur dhe të festojnë pa arrogancë, ndërsa thekoi se prej nesër do punohet për një Prishtinë më të mirë.

Ndryshe, nga numërimi i sotëm i votave me kusht dhe atyre me postë, Shpend Ahmeti ka marrë 861 vota, kurse kundër kandidati i tij nga LDK ka marrë 733 vota, rezultat ky që e vendosi edhe një herë si fitues të zgjedhjeve Shpend Ahmetin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme