Prizrenasit shprehin entuziazëm pas fitores së Haskukës, PDK-ja s’e pranon rezultatin

Prizrenasit shprehin entuziazëm pas fitores së Haskukës, PDK-ja s’e pranon rezultatin

26 nëntor 2017 19:09

Posa përfundoi numërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Prizrenasit nisën festën.

Ata e quajtën të merituar rezultatin për Vetëvendosjen, pasi sipas tyre, është partia e vetme që meriton të qeverisë me këtë qytet, raporton KTV.

Ndonëse kandidati për kryetar të Prizrenit nga Vetëvendosje është jashtë shtetit, qytetarët e uruan kryetarin e kësaj partie në Prizren, Artan Abrashi.

Por ky rezultat nuk është pranuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Dega në Prizren, kërkon rinumërimin e të gjitha votave në Prizren, duke thënë se pas numërimit të votave me kusht triumfues i zgjedhjeve është Shaqir Totaj.

“PDK në Prizren, fton organet kompetente që të hapin të gjitha kutitë dhe të rinumërohen votat në Prizren. Vetëm rinumërimi do t’a tregonte shprehjen e vullnetit të qytetarëve të Prizrenit dhe do t’a legjitimonte kryetarin e ardhshëm të Prizrenit”, thuhet në reagimin e PDK-së në Prizren.

Nga numërimi i votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta , Mytaher Haskuka mori 385 vota, ndërsa kandidati i PDK-së Shaqir Totaj mori 452 vota.

Mytaher Haskuka, ka paralajmëruar se fitoren do ta festojë me 28 Nëntor-Ditën e Flamurit. Festa do të bëhet në “Shatërvan”, prej orës 13:00.

Pjesë e festës, priten të jenë edhe partnerët e koalicionit, të cilët i ndihmuan në balotazh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme