Vetëvendosje dorëzoi ankesën në Supreme, nuk pranon rinumërimin

Vetëvendosje dorëzoi ankesën në Supreme, nuk pranon rinumërimin

24 nëntor 2017 14:58

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme ndaj vendimit që ka marrë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka vendosur që të rinumërohen votat për Prishtinën dhe Prizrenin.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu tha se konsiderojnë se këto vendime përveç që janë të pabaza janë edhe të motivuara politikisht, transmeton KP.

Sipas tij vendimi i PZAP për rinumërim të tërësishëm për Prishtinën ka ardhur në bazë të një kërkese nga LDK-ja duke u bazuar në numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme dhe fletëvotime të zbrazëta.

E për këto dy pretendime të LDK-së, Sejdiu tha se janë të pabaza pasi që numri i fletëvotimeve është më i ulti ndonjëherë. Sejdiu ka akuzuar PZAP duke e konsideruar të ngarkuar politikisht.

"Kemi ardhur në një situatë ku PZAP, si duket është e ngarkuar politikisht dhe ka marr vendime politike e jo vendime që bazohen në argumente dhe bazë", tha ai.

Sejdiu u shpreh i bindur që Gjykata Supreme nuk do të bëjë gabim të tillë si PZAP dhe dhe do të anuljë vendimin duke vazhduar numërimin e votave më kusht.

Po ashtu njëjtë e ka konsideruar edhe rastin e Prizrenit ku është ankuar PDK-ja.

Sejdiu tha se nuk do të pranojnë asnjë rezultat i cili vjen si rezultat i rinumërimit të cilin e quajti manipulim me sistemin e drejtësisë dhe votën e qytetarit.

Ndërsa deputeti Ismajl Kurteshi tha se procesi zgjedhor ka qenë në rregull dhe këtë nuk e thotë vetëm Vetëvendosje por edhe të gjitha subjektet tjera politike dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Ai është shprehur i bindur se gjykata supreme në bazë të fakteve do ta merr vendimin dhe do t’i refuzojë këto kërkesa që janë puro politike dhe që çojnë drejtë një destabilizimi të vendit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme