VV e cilëson skandaloz vendimin për rinumërim

VV e cilëson skandaloz vendimin për rinumërim

23 nëntor 2017 16:37

Përmes një konference për media, Lëvizja Vetëvendosje i ka cilësuar skandaloze dhe të papranueshme vendimin për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren të marrë nga Paneli Gjyqësor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe vendimin për ndërprerjen e numërimit të votave me kusht, vendim ky i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjatë kësaj konference, kryetari i VV-së Visar Ymeri, kandidati për kryetar të Prishtinës dhe kryetari aktual i saj, Shpend Ahmeti, dhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, i quajtën këto vendime politike, e për të cilat deklaruan se e rrezikojnë demokracinë.

Shpend Ahmeti gjatë fjalës së tij tha se me asnjë kusht nuk do të lejohet shtrembërimi i vullnetit të qytetarëve, i shprehur në balotazhin e 19 nëntorit.

Duke theksuar vendimin e sotëm të PZAP-së, ai kontestoi arsyetimin e dhënë se deri tek vendimi për numërim është ardhur për shkak të rezultatit të ngushtë dhe mospërputhjeve të shumta. Ai sqaroi se s’mund të flitet për rezultat të ngushtë, kur ende nuk kemi rezultat, pasi që nuk ka përfunduar tërësisht numërimi dhe rikujtoi se nuk ka pasur asnjë mospërputhje, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë ankesë për çfarëdo parregullsie nga asnjë vëzhgues i asnjë partie. Ahmeti e quajti absurd edhe hamendësimin për votat e pavlefshme, kinse në numër të madh, duke thënë se në zgjedhjet e 19 nëntorit ka qenë numri më i vogël i votave të pavlefshme se kurdoherë më parë.

“Dje ka pas kushte që votat me kusht kanë mund me u numëru. Pa arsye i kanë lënë krejt, nuk kanë shkuar fare në punë në Qendrën e Numërimit, i kanë shtyrë deri sot, s’kanë dashur me i numëru sepse me atë do të përfundonte në një mënyrë legjitimimi i fitores sonë në Prishtinë”, tha ndër të tjera Ahmeti, i cili më pas paraqiti një vendim të PZAP-së gjatë zgjedhjeve nacionale në qershor, përmes të cilit i është refuzuar kërkesa e LDK-së për rinumërim, me arsyetimin se ende nuk janë numëruar votat.

Ahmeti tha po ashtu se është e çuditshme se si është vendosur për rinumërim të tërësishëm vetëm në dy komunat, ku nga rezultati preliminar del fituese Vetëvendosje, ani pse rezultat të ngushtë ka edhe në Sharr e Rahovec. Ai kërkoi nga KQZ-ja që të fillojë numërimin e votave me kusht, e nëse pas këtij procesi ka ankesa, Ahmeti tha se me këtë çështje duhet të merren pastaj organet gjegjëse.

Pas tij, Haskuka theksoi se shumica e asaj që tha Shpend Ahmeti për Prishtinën, vlejnë edhe për rastin e Prizrenit. Ai tha se as PDK në Prizren, e as partitë e tjera të koalicionit me të, nuk kishin asnjë ankesë ditën e zgjedhjeve. Haskuka tha se vetëm Vetëvendosje është ankuar për disa persona të pautorizuar me bexha fals që kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e një qendre të votimit. Në lidhje me procesin zgjedhor në Prizren e Prishtinë, ai paraqiti raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian, i cili nuk flet për asnjë parregullsi në këto dy komuna, sikurse edhe raportet vendore nga shoqëria civile.

“Vetëm një kuti ka qenë e kontestuar, ajo ka shkuar në karantinë, është rinumëruar dhe nga rinumërimi kanë dalë 55 vota më shumë për mua dhe në të njëjtën kohë, 55 vota më pak për Shaqir Totajn”, tha Haskuka, duke treguar më tej se PDK ka bërë trysni mbi vëzhguesit, duke sajuar deklarata që flasin për fotografim të votës e parregullsi të tjera.

Ai prezantoi deklaratën e nënshkruar nga një vëzhgues me datën 22 nëntor, i cili mohon deklaratën e një dite më herët, duke dëshmuar se deklarata e datës 21 nëntor është e rreme dhe e dhënë nga trysnia dhe kërcënimi nga PDK. Haskuka tha se kjo deklaratë e cila e tërheqë deklaratën e parë është dorëzuar në PZAP, por tha se zyrtarët e PZAP-së nuk e kanë marrë fare parasysh, gjë për të cilën tha se është vepër penale.

Ndërkaq, Kryetari Visar Ymeri të dy vendimet po ashtu i quajti të jashtëligjshme dhe të dëmshme për procesin zgjedhor. Ai tha se këto vendime i shpallin luftë demokracisë dhe se mëto po tentohet grushtet i një pakice kriminale ndaj qytetarëve të Kosovës, duke thënë se po tentohet prishja e procesit zgjedhor dhe anulimi i vullnetit të tyre.

“Duhet ta kenë parasysh këta që janë bërë bashkë, kapësit e shtetit, duke filluar nga klani Pronto i Kadri Veselit, e klani i Isa Mustafës brenda LDK-së, e te paterica e fundit që i janë ngjitur atyre – klika e Ramush Haradinajt, që janë bërë bashkë kundër qytetarëve”, tha Ymeri, duke shprehur zotimin se VV nuk do të lejojë në asnjë mënyrë anulimin e vullnetit të popullit, e duke paralajmëruar se ndaj këtyre veprimeve VV nuk do të rrijë duarkryq.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme