Beqiri: Prishtina të përmbyset në favor të Abrashit

Beqiri: Prishtina të përmbyset në favor të Abrashit

21 nëntor 2017 14:37

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, në një konferencë për media ka thënë se Prishtina duhet të përmbyset në favor të kandidatit të tyre Arban Abrashi.

“Në bazë të trendit dhe raportimeve, Prishtina duhet të përmbyset në favor të Arbanit”, tha ai, raporton KTV.

Ka shtuar se për shkak të rezultatit të ngushtë, të gabimeve në përshkrimin e votave dhe numrit të madh të votave të pavlefshme, si parti kanë kërkuar nga PZAP rinumërimin e të gjitha kutive në komunën e Prishtinës.

LDK konsideron se, rinumërimit të të gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës nuk ka nevojë t’i druhet e as t’i ikë asnjë subject politik e as kandidat, sepse rinumërimi vetëm sa do të legjitimonte akoma më shumë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve cilido qoftë ai dhe do të rriste besueshmërinë e qytetarëve tonë në procesin zgjedhor.

Lidhja Demokratike e Kosovës me këtë rast kërkon edhe nga organet kompetente të drejtësisë që të analizojnë dhe shqyrtojnë raportimet e mediave për organizimin e transportit përmes veturave për qytetarët votues në Komunën e Prishtinës, të kamufluar si OJQ, e në këmbim të votës për kandidatin e VV-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sepse LDK konsideron se në një veprim/organizim të tillë ka më shumë se një element të veprës penale të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

LDK gjithashtu njofton opinionin se me vëmendje të shtuar është duke vëzhguar procesin e konfirmimit, verifikimit dhe të numërimit të votave me Postë sidomos sa i përket votave për Komunën e Istogut dhe të Dragashit, ku vërehet edhe nga shumë veprime por edhe nga deklarimet e vetë kandidatëve, sidomos kundërkandidatëve të LDK-së, se kishte votim të porositur, të organizuar dhe të kontrolluar nga qarqe të caktuara për votuesit jashtë Kosovës, duke shkelur kështu shumë nga parimet që garantojnë zgjedhje të lira e demokratike, siç janë fshehtësia e votës, vullneti i lirë i votuesve, votimi individual etj.

"Prandaj, sikur në këto raste, në rastin e Prishtinës, Istogut e Dragashit, edhe në të gjitha rastet tjera eventuale, LDK do të ndjek të gjitha rrugët ligjore në të gjitha instancat e drejtësisë në Kosovë, që nga PZAP-i e deri tek Gjykata Kushtetuese, me qëllim të vetëm, korrektimin e procesit zgjedhor në secilin rast që faktet dëshmojnë tendencën e subjekteve apo të kandidatëve të tyre për të shtrembëruar vullnetin e lirë të qytetarëve tonë të shprehur në zgjedhjet e 19 nëntorit 2017", ka thënë Beqiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme