Sejdiu: Me dallavere nuk fitohet Prishtina

Sejdiu: Me dallavere nuk fitohet Prishtina

20 nëntor 2017 19:31

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, njëherësh ish-nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka reaguar pas lajmit se KQZ ka gabuar në pasqyrimin e rezultateve preliminare nga dy vendvotime, e të cilat e zbusin diferencën mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit.

Ai ka akuzuar KQZ-në për dallavere.

“Tash e kuptova pse LDK e ka dërgu Sami Hamitin ne KQZ. Me dallavere nuk fitohet Prishtina. Prishtina ka vendosur me zemër”, ka thënë Sejdiu, në një prononcim të tij në Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një njoftimit për media thotë se dëshiron të sqarojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me një gabim teknik që është bërë gjatë futjes së të dhënave të Rezultateve Preleminare, pasi është përmbyllur numërimi në Vendvotim.

“Në Vendvotimin 1921X/01R dhe në Vendvotimin 1921X/02R në komunën e Prishtinës, gjatë futjes së të dhënave të Rezultateve Preleminare janë shënuar gabim të dhënat të cilat më pas janë transmetuar në faqen zyrtare të KQZ-së, tek linku i Rezultateve Preleminare (Jo-Përfundimtare). Ky gabim është përmirësuar dhe do të paraqitet në linkun e rezultateve në faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.

Kujtojmë se në paraqitjen e mbrëmshme në rezultatet preliminare diferenca në mes të Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit ishte për 307 vota në favor të këtij të parit. Diferenca pas këtij përmirësimi ka rënë në 237 vota.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas lajmit se në futjen e rezultateve nga KQZ-ja në pasqyrimin e të dhënave preliminare për komunën e Prishtinës, ka pasur gabime.

Hoti ka thënë se gabime në raportim të votave raportohen në disa vendvotime/shkolla.

Lexo edhe: KQZ thotë se gaboi në futjen e të dhënave në dy vendvotime, diferenca bie në 237 vota

“Në të gjitha rastet, gabimet janë në disfavor të LDK dhe Arban Abrashit. Duke qenë se gabimet janë të njëanshme, është e kuptueshme se duhet trajtuar me një qasje përtej gabimeve teknike dhe njerëzore. Prandaj, rinumërimi është i domosdoshëm për të qartësuar situatën. E vërteta e plotë është në kuti të votimit”, ka thënë Hoti.

“E vërteta me devijime është e raportuar nga KQZ. Por, duke qenë rezultati kaq i ngushtë, këto devijime e përcaktojnë se kush qeveris me Prishtinën në katër vitet në vijim. Qytetarët e Prishtinës e meritojnë të dijnë të vërtetën e plotë, jo të vërtetët që duan të tregojnë komisionarët”, ka thënë më tej Hoti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme