DnV kërkon transparencë gjatë numërimit të votave me kusht, numëron parregullsitë që hasën dje

DnV kërkon transparencë gjatë numërimit të votave me kusht, numëron parregullsitë që hasën dje

20 nëntor 2017 14:39

Koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim”, ka vlerësuar zgjedhjet e djeshme si të rregullta dhe me standarde ndërkombëtare, derisa i ka kërkuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, që të jetë transparente gjatë numërimit të votave me kusht, votave me postë dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Albert Krasniqi nga DnV në një konferencë për media tha se zgjedhjet kanë qenë të qeta, të rregullta dhe i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare.

Ai ka deklaruar se do të vazhdojnë monitorimin e votave me kusht, votave jashtë vendit dhe ato të personave me nevoja të veçanta, por në të njëjtën kohë i ka kërkuar QNR-së që të jetë transparente në mënyrë që ky proces të shkojë në mënyrë sa më të mirë të mundshme.

“Demokraci në Veprim” (DnV) ka pasur të angazhuar 1777 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, të mbajtur më 19 nëntor 2017. Ndërsa 7 vëzhgues tjerë me rastin e rivotimit në Komunën e Parteshit. Vëzhguesit janë vendosur në të gjitha vendvotimet, për të vëzhguar përgatitjet për hapjen e tyre, procesin e votimit, mbylljen e vendvotimeve si dhe në fund numërimin e rezultateve. Fushata zgjedhore e kandidatëve është vëzhguar nga 30 vëzhgues afatgjatë të zgjedhjeve, përfshirë tubimet e kandidatëve dhe takimet me grupet e interesit.
 
Fushata zgjedhore
Fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave është zhvilluar e qetë me numër të vogël të parregullsive. Subjektet politike kanë qenë të matura dhe kanë kontribuar në zhvillimin e një fushate zgjedhore konkurruese dhe të qetë ku kanë shpalosur para qytetarëve opsionet dhe programet e tyre.
Parregullsitë më të shumta që e kanë shoqëruar fushatën zgjedhore kanë qenë: i) përdorimi i resurseve publike, ii) pjesëmarrje e fëmijëve në aktivitetet zgjedhore; iii) mungesë e qasjes për personave me aftësi të kufizuara. Fushata zgjedhore është dominuar prej kandidatëve burra si në publik ashtu edhe si folës në aktivitetet e subjekteve politike.
 
Dita e zgjedhjeve
Në përgjithësi, dita e zgjedhjeve ka kaluar e qetë dhe pa incidente serioze të cilat do ta dëmtonin në mënyrë direkte mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Votimi është kryer duke respektuar standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qytetarët kanë qenë të lirë për të votuar për kandidatët e tyre të preferuar dhe kanë qenë të sigurt për ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar. Përveç parregullsive të vogla të izoluara, nuk është shënuar ndonjë incident serioz që do të mund ta dëmtonte tërë procesin zgjedhor.
Përjashtim bëjnë disa lokalitetet me shumicë serbe, banorëve të komunitetit serb u është bërë thirrje për të mos dal për të votuar. Raste të tilla janë raportuar në komunën e Vushtrrisë përkatësisht në fshatrat Grac dhe Banjskë. Mungesë të interesimit për të votuar nga komuniteti serb ka pasur edhe në komunën e Obliqit.
Edhe në raundin e dytë të votimit për kryetarë të komunave është vërejtur një trend i përsëritjes së parregullsive nga proceset e kaluara zgjedhore, ndonëse në numër më të vogël të rasteve.

Hapja e vendvotimeve
Nga 1777 Vendvotime,  sipas të dhënave të DnV-së, me vonesë janë hapur 12 vendvotimeve, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionarëve.

Prania e materialit propagandues në afërsi prej 100 m prej Qendrës së Votimit
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri është vërejtur në 19 Qendra Votimi ose 3 % të tyre në nivel vendi.
 
Mungesa e materialeve zgjedhore
Sa i përket mungesës së materialit zgjedhor, nga terreni është raportuar se në 60 vendvotime kanë munguar materialet zgjedhore në kohën e hapjes së vendvotimeve (apo në 3.4% të vendvotimeve).

Më pak se tre komisioner në vendvotime
Në 10 vendvotime në nivel vendi vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të më pak se tre komisionarëve në vendvotim.

Gjetja e emrit në Listën e Votuesve
Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve e kanë përcjellë edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 202 vendvotime apo 11.4% të vendvotimeve.

Votimi familjar
Votimi familjar është evidentuar në 116 vendvotime, përkatësisht në 6.5 % të të gjitha vendvotimeve.

Fotografimi i fletëvotimit
Fotografimi i fletëvotimit është evidentuar në 54 vendvotime në nivel vendi,  përkatësisht në 3% të të gjitha vendvotimeve.

Votimi jashtë kabinave të votimit
Vëzhguesit e DnV-së kanë hasur në raste të votimit jashtë kabinave të votimit, ku përgjatë ditës së zgjedhjeve janë evidentuar gjithsej 29 raste (1.6% e të gjitha vendvotimeve).

Asistimi i votuesve më shumë se një herë
Vëzhguesit e DnV-së po ashtu raportuan edhe për rastet e asistimit të votuesve më shumë se një herë, dukuri kjo e cila është evidentuar në 27 vendvotime (1.5% e të gjitha vendvotimeve).

Prania e personave të paautorizuar në vendvotim
Edhe prania e personave të paautorizuar në vendvotime vazhdon të mbetet një nga parregullsitë e evidentuara në këto zgjedhje. Më konkretisht, prania e personave të paautorizuar në vendvotime është hasur në 21 vendvotime (rreth 1.2 % të vendvotimeve).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme