Ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht, KQZ vazhdon të pranojë material zgjedhor

Ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht, KQZ vazhdon të pranojë material zgjedhor

20 nëntor 2017 12:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se pas përmbylljes së suksesshme të procesit të votimit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore.

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke u pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat, sipas procedurave të parapara”, thuhet në njoftimin e KQZ-së duke shtuar se deri më tani, materiali i ndjeshëm zgjedhor është pranuar nga pjesa më e madhe e këtyre komunave, transmeton Koha.net.

Pas pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor, sipas procedurave, është duke u bërë edhe skanimi i Listës Përfundimtare të Votuesve e cila është përdorur në Vendvotime si dhe do të bëhet skanimi i Formularëve të Rezultateve të krijuara në Vendvotim.

Pas kësaj, sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë në web-faqe kopjet e skanuara të këtyre formularëve, me qëllim që kandidatët dhe qytetarët të mund të shohin rezultatin e secilit Vendvotim.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një raport të detajuar lidhur me numrin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta; dhe votave përmes postës.

Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së Rezultateve Përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Parteshit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të transparencës do të njoftojë me kohë mediat dhe vëzhguesit për fillimin e numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës – në mënyrë që të mund ta përcjellin nga afër këtë proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve falënderon edhe një herë qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor si dhe subjektet politike e kandidatët e tyre për procesin e djeshëm zgjedhor”, thuhet në fund të njoftimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme