Kusari-Lila uron Gjinin: Gjakova të zgjodhi ty, e ke borxh ta qeverisësh

Kusari-Lila uron Gjinin: Gjakova të zgjodhi ty, e ke borxh ta qeverisësh

20 nëntor 2017 11:08

Tanimë ish kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, e cila mbrëmë humbi betejën në balotazh nga kundërkandidati i tij nga AAK, Ardian Gjini, nuk hezitoi t’i uroj atij mandatin si kryetar të Gjakovës.

Ka thënë se përkundër përpjekjeve për ta fituar edhe një mandat për të qeverisur Gjakovën, siç duket nuk ka arritur të bindë shumicën me programin e saj, transmeton Koha.net.

Ajo ka uruar Ardian Gjinin me shpresën se ai do të jetë kryetar i të gjithëve dhe do të ushtrojë sovranitet të plotë në detyrën e tij si kryetar.

“Gjakova e zgjodhi atë të qeveris, andaj ai tani i ka borxh Gjakovës ta qeveris”, ka thënë Kusari-Lila.

Postimi i Kusarit-Lilës në Facebook:

Mirëmëngjesi Gjakovë,

Sot është një ditë e re në realitet të ri. Ishim bashkë katër vite me sfida dhe angazhime, por edhe suksese dhe të arritura.

Asaj çfarë ne besuam dhe e vlerësuam, deri në fund i qëndruam besnik.

Në fushatën dy mujore folëm dhe ju prezantuam çfarë menduam se është programi më i mirë për Gjakovën në #plus4 por nuk arritëm të bindim shumicën për këtë program, kjo është demokracia.

Unë, nga thellësia e zemrës ju Falënderoj për besimin tuaj, respektin dhe vlerësimin që na dhatë gjatë katër viteve bashkëpunim dhe dy muaj fushatë.

Faleminderit afër 19,000 votuesve që besuan se duhet të rrugëtojmë bashkë dhe gjithë të tjerëve që besuan ndryshe.

Faleminderit kandidatëve për asamble komunale, aktivistëve dhe vullnetarëve tonë që treguan standard dhe devotshmëri si asnjëherë më parë në një garë politike. Ishit dhe do të mbeteni frymëzimi im për të vazhduar rrugëtimin tonë politik bashkë.

Ne e humbëm një betejë dje, por luftën për demokraci dhe shoqëri të barabartë do e vazhdojmë pa u lëkundur.

Këtë betejë nuk e bëmë për veten tonë, kjo betejë ishte për Gjakovën. Bashkë nuk deshtem Gjakovën të kthejmë në të kaluarën, por evidente është se nuk ishim shumica që menduam ashtu.

Uroj të kemi qenë gabim dhe Gjakova të rrugëtojë përpara.

Ia uroj mandatin e fituar Ardian Gjinit duke shpresuar se me të vërtetë do të jetë kryetar i të gjithëve dhe do të ushtroj sovranitet të plotë në detyrën e tij. Gjakova e zgjodhi atë të qeveris, andaj ai tani i ka borxh Gjakovës ta qeveris.

Urime Gjakovë, të priftë e mbara!

Gjithmonë e jotja,

Mimoza

Kujtojmë se nga rezultatet preliminare të KQZ-së, Ardian Gjini priu me 21 mijë e 607 vota apo 53.49 për qind, ndërsa Mimoza Kusari-Lila me 18 mijë e 791 vota apo 46.51 për qind.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme