Ndryshon harta partiake e pushtetit në disa komuna të Kosovës Foto: Koha / ilustrim

Ndryshon harta partiake e pushtetit në disa komuna të Kosovës

20 nëntor 2017 11:01

Në 19 komuna të Kosovës, përfshirë gjashtë qendrat e mëdha, u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash, shkruan sot DW. Pjesëmarrja në këtë raund ishte rreth 40 %.

Zgjedhje të qeta dhe pa ndonjë parregullësi të madhe u zhvilluan këtë të diel në 19 komuna të Kosovës, përfshirë edhe gjashtë qendrat e mëdha: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Gjilani dhe Mitrovica. Në disa nga këto qendra ndodhën edhe ndryshime të pushtetit lokal. Nga zgjedhjet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryeqyteti Prishtina vazhdon të udhëhiqet nga Lëvizja vetëvendosja dhe kandidati i saj Shpend Ahmeti. Por fitorja ende nuk është përfundimtare, sepse Ahmeti ka fituar vetëm rreth 300 vota më shumë se kandidati i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi. Ndërkohë që kanë mbetur për t'u numëruar edhe rreth 1500 vota me kusht.

VV fiton edhe në Prizren?

Lëvizja Vetëvendosja fitoi edhe Prizrenin me kandidatin e saj, Mytaher Haskuka - të paktën shikuar nga rezultatet e deritanishme. Edhe në këtë komunë duhet pritur numërimin e votave me kusht, sepse dallimi mes kandidatit të VV dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, është shumë i vogël. PDK ka qenë deri tani në pushtet në Prizren.

Lëvizja Vetëvendosja ka fituar edhe komunën e Kamenicës. Pushteti ka ndryshuar edhe në Ferizaj, i cili do të udhëhiqet nga PDK dhe kandidati i saj Agim Aliu. Kjo komunë deri tash udhëhiqej nga LDK, e cila ka fituar edhe në Gjilan, Podujevë, Vushtrri dhe Istog. LDK vazhdon të jetë në garë kokë më kokë me PDK në komunën e Dragashit.

Komuna e Mitrovicës së Jugut do të vazhdojë të udhëhiqet nga Agim Bahtiri, që ishte kryetar edhe në mandatin e kaluar. Numrin e komunave të fituara e shtoi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo parti ka fituar në Gjakovë (Ardeian Gjini), Suharekë (Bali Muharremaj), Rahovec (Smajl Latifi), Klinë (Zenun Elezaj) dhe Obiliq (Xhafer Gashi). Ndërkohë që Nisma për Kosovën ka mbetur në pushtet në Malishevë.

Lista Srpska fitoi më së shumti komuna

Lista Srpska ka tituar sipas të gjitha gjasave në Partesh, ndaj ky do të jetë subjeti politik që ka fituar më së shumti komuna në Kosovë - 10 komuna të banuara me shumicë serbe. Zyrtarë të KQZ thonë se akoma nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato me postë, gjë që mund të përmbysë rezultatin në disa komuna.

Ky ishte raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash, pasi që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 22 tetor, asnjëri nga kandidatët nuk e mori numrin e mjaftueshëm mbi 50 për qind të votave. Pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve ka qenë rreth 38 %. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve që monitorouan zgjedhjet për kryetar komunash ishte rreth 12.000. Monitoruesit ishin përfaqësues nga subjektet politike, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat joqeveritare, si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit thanë se edhe në raundin e së dielës janë përsëritur parregullsitë e njëjta sikurse në zgjedhjet e fundit - ka pasur votime familjare dhe përpjekje për votime të dyfishtë.

Rezultatet zyrtare në fund të javës

Rezultatet e para jozyrtare të KQZ-së do të publikohen sot, ndërsa ato përfundimtare në fund të javës. Në zgjedhjet e balotazhit për kryetar komunash, më së shumti kandidatë ka pasur LDK (12), pastaj PDK (9), Lëvizja Vetëvendosje (6), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (5), Aleanca Kosova e Re (1), Nisma (1) dhe Alternativa (1).

Në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit, 19 komuna përfunduan procesin e zgjedhjes së kryetarit, ndërsa, për asamblistët komunal procesi përfundoi në të 38 komunat e Kosovës. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në raundin e parë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 2 komuna. Ndërkohë që lista Serbe kishte fituar që në raundin e parë në 9 komuna të Kosovës. Partitë e para në raundin e parë nuk kanë fituar asnjë komunë.

Në komunat e banuara me shumicë serbe janë regjistruar, sipas raportit të vëzhguesve evropianë, “presione tek votuesit që të votohet vetëm për një subjekt politik”, në këtë rast për listën “Srpska”, e cila e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme