Zgjedhjet lokale

PDK-ja – humbësja e balotazhit

Partia Demokratike e Kosovës është humbësja më e madhe në balotazh.

Partia e Kadri Veselit ka humbur katër komuna ku ishte duke udhëhequr në raundin e parë të zgjedhjeve apo ku kishte drejtimin në mandatin e shkuar.

PDK ka humbur bastionin kryesor Prizrenin ku ishte duke udhëhequr që nga viti 2007. PDK po ashtu ka humbur në Klinë ku kryetari Sokol Bashota ka humbur kundrejt kandidatit të AAK-së Zenun Elezaj.

PDK nuk ka arritur ta mbajë Rahovecin që udhëhiqej nga Idriz Vehapi, ndërsa Valdete Idrizi nuk ka arritur që të kthejë bastionin e PDK-së që në vitin 2013 u mund nga Agim Bahtiri.

Bahtiri edhe kësaj radhe arriti ta përmbysë rezultatin në raundin e dytë ku printe kandidatja e PDK-së.

I vetmi sukses i PDK-së në raundin e dytë është Ferizaj, ku kandidati Agim Aliu arriti ta mposhtë Muharrem Sfarqën e LDK-së i cili në vitin 2013 fitoi zgjedhjet për kryetar.

PDK në këto zgjedhje ka arritur ta mbajë vetëm Kaçanikun, Shtimen dhe Dragashin, ndërsa në raundin e parë ka fituar vetëm në Drenas.