VV-ja akuzon vëllanë e Agim Veliut për presion ndaj votuesve

VV-ja akuzon vëllanë e Agim Veliut për presion ndaj votuesve

19 nëntor 2017 16:21

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë kanë akuzuar vëllanë e Agim Veliut, kryetarit aktual dhe kandidatit të LDK-së për mandat të ri, se po ushtron presion ndaj votuesve.

Në një njoftim të LVV-së të postuar edhe në rrjetin social “Facebook”, është thënë se ky nuk është rasti i vetëm që persona të paautorizuar po e bëjnë të njëjtën gjë që nga mëngjesi i ditës së sotme.

“Që nga mëngjesi i sotëm, në qendra të ndryshme të votimeve, po qëndrojnë persona të paautorizuar për të qenë aty, dhe të cilët janë të afërt me LDK-në. Ata po ushtrojnë presion mbi votuesit, për të votuar Agim Veliun”, thuhet në këtë komunikatë.

“Rasti i fundit, është me vëllanë e Agim Veliut, i cili që nga mëngjesi, pa asnjë mjet identifikues që e legjitimon prezencën e tij aty, po iu bën presion votuesve në vendvotimin 1807e (shkolla fillore “Nuhi Gashi” në Bradash). Ne kërkojmë nga organet përgjegjëse që të merren me këto raste sa më pare. Kurse votuesve iu bëjmë thirrje që të mos zmbrapsen para asnjë presioni”.

Gjatë ditës edhe vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për tre raste të pranisë së materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri, sipas DnV-së, është e sanksionuar me nenin 85 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP).

Por, zyrtari i lartë komunal i zgjedhjeve në Podujevë, Islam Demolli, ka thënë për korrespodentin e Grupit KOHA në Podujevë, të jetë i informuar për këtë.

“Kisha me pas qejf me ditë se për cilin vend po bëhet fjalë, pasi unë nuk kam njohuri për këtë”, është shprehur Demolli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme