PDK: Qytetarët do t’i zgjedhin kryetarë kandidatët që përfaqësojnë unitetin e tyre

PDK: Qytetarët do t’i zgjedhin kryetarë kandidatët që përfaqësojnë unitetin e tyre

19 nëntor 2017 13:20

Partia Demokratike ka mbajtur sot konferencë për media në kuadër të balotazhit ku ky subjekt po garon në dhjetë komuna, në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Shtime, Dragash e Malishevë.

Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, para gazetarëve të mbledhur në selinë qendrore të kësaj partie ka shprehur besimin e këtij subjekti se qytetarët anekënd vendit do t’i zgjedhin kryetarët kandidatët që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar.

Ajo tha se, sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë që të dalin masivisht për t’iu përgjigjur obligimit qytetar, që t’i votojnë për kryetarë kandidatët më të mirë dhe unifikues, që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Rahoveci e deri në Vushtrri, e anekënd vendit”, ka thënë Deliu-Kodra, transmeton Koha.net.

Ajo theksoi se qytetarët në të gjitha komunat do të dinë t’i votojnë kandidatët më të mirë që do t’i udhëheqin komunat e tyre në katër vjetët e ardhshëm.

“Pra, gjashtë orë para mbylljes së vendvotimeve, ftojmë që qytetarët tanë të vazhdojnë të votojnë në numër sa më të madh, që të kontribuojnë për një të ardhme të ndritshme dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve të komunave të tyre”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve të mbledhur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme