Në Mitrovicë prani e personave të paautorizuar, në Podujevë e materialit propagandues Foto: Koha / Ilustrim

Në Mitrovicë prani e personave të paautorizuar, në Podujevë e materialit propagandues

19 nëntor 2017 13:12

Përfaqësues të Demokracisë në Veprim kanë raportuar për disa parregullsi në Komunën e Mitrovicës dhe atë të Podujevës që i kanë evidencuar gjatë ditës së sotme kur po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Sipas të njëjtëve, deri tash kanë hasur në 7 raste të pranisë së personave të paautorizuar në vendvotime në Komunën e Mitrovicës, ndërsa në tetë raste tjera ka munguar materiali zgjedhor.

“Koha Ditore” ka kontaktuar zyrtarin e lart komunal i zgjedhjeve në Mitrovicë, Bajram Hajdari, për të pyetur për këto parregullsi, por ai ka thënë se nuk mund të deklarohet për media, pasi kjo u është ndaluar me një shkresë nga KQZ-ja.

Ndërkohë, në Komunën e Podujevës, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për tre raste të pranisë së materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri, sipas DnV-së, është e sanksionuar me nenin 85 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP).

Por, zyrtari i lartë komunal i zgjedhjeve në Podujevë, Islam Demolli, ka thënë të jetë i informuar për këtë.

“Kisha me pas qejf me ditë se për cilin vend po bëhet fjalë, pasi unë nuk kam njohuri për këtë”, është shprehur Demolli.

DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. DnV iu rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim.

Dalja në zgjedhje deri në orën 11:00 është më e vogël krahasuar me periudhën e njëjtë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të këtij viti. Deri në 11:00 në Mitrovicë kanë votuar 5,550 qytetarë, ose 7,02 për qind nga 79,042 votues sa ka kjo komunë.

Ndërsa, në Podujevë kanë votuar 5,062 qytetarë ose 6,02 për qind nga 84,088 qytetarë me të drejtë vote. Islam Demolli ka thënë se deri tash procesi ka shkuar mirë në Komunën e Podujevës dhe se edhe pse deri në orën 11:00 numri i votuesve ka qenë më i vogël krahasuar me periudhën e njëjtë të ditës së 22 tetorit, prej orës 12:00 ka filluar të rritet numri i votuesve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme