Zgjedhjet lokale

Engel: Gjithmonë do të jem mik i Kosovës

Kongresisti Eliot Engel ka përgëzuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe me standarde të larta demokratike, duke thënë se SHBA mbështet Kosovën si shtet të pavarur dhe se ai vetë personalisht do të jetë mik i Kosovës.

Ai ka shprehur kënaqësinë e tij që ndodhet në Kosovën e pavarur, për të cilën tha se gëzon mbështetjen e madhe të SHBA-së në ndërtimin e përbashkët të demokracisë.

“Ishte koha kur njerëzit më thanë se pavarësia e Kosovës ndoshta nuk do të ndodhë dhe unë iu thashë se do të ndodhë me kohë, dhe një ditë të gjithë ne do të jemi në një Kosovë të lirë dhe të pavarur, Ja, ku jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur, dhe zgjedhje të lira demokratike dhe duke parë këtë se sa njerëzit kujdesen për demokracinë dhe jo më bën mua shumë special. Siç e dini SHBA është mbështetës i madh i Kosovës dhe unë do të bëj çdo gjë është në fuqinë time për të siguruar se të dyja vendet janë duke punuar së bashku dhe për të ndërtuar demokracinë së bashku”, ka thënë ai, raporton KP.

Ai ka përkujtuar se vota është një e drejtë e rëndësishme e demokracisë dhe përgjegjësisë, dhe është dëshmi se demokracia po vepron.

“Unë gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Unë kam qenë këtu para shpalljes së pavarësisë, isha i lumtur të shohë pavarësinë dhe të shohë kombin duke u rritur në liri dhe demokraci. Është nder dhe kënaqësi për mua të jem në Kosovë dhe e di se do të keni zgjedhje të mira dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Engel tha se është me rëndësi që zgjedhjet të tregohen kredibile dhe të kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa dhunë.

Ndryshe, kongresisti amerikan gjatë ditës ka vizituar edhe Demokracinë në Veprim.