Parregullsitë që DnV i hasi gjatë fushatës

Parregullsitë që DnV i hasi gjatë fushatës

18 nëntor 2017 11:52

Demokracia në Veprim (DnV) përmes 30 vëzhguesve afatgjatë, në pesë ditët e fushatës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash, ka përcjellë 166 aktivitete të subjekteve politike të certifikuara, si dhe ka monitoruar mbledhjet KKZ-ve dhe KQZ-së.

Në bazë të monitorimeve të DnV-së, fushata parazgjedhore për balotazh e zhvilluar pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, subjektet politike kanë vazhduar me aktivitetet e tyre zgjedhore edhe para përcaktimit të afatit kohor për zhvillimin e kësaj fushate.

Periudha zyrtare e fushatës zgjedhore prej 5 ditësh për balotazh është zhvilluar e qetë, ku subjektet politike kanë prezantuar ofertën e tyre politike dhe programet qeverisëse në ambient konkurrues. Pjesëmarrja e qytetarëve dhe e mediave ka qenë e sigurt dhe e papenguar. Nuk janë shënuar incidente të cilat do të dëmtonin mbarëvajtjen e fushatës parazgjedhore.

Pjesëmarrja e qytetarëve në tubime


Subjektet politike në përgjithësi kanë zhvilluar tubime zgjedhore deri në 100 pjesëmarrës, respektivisht 52% e takimeve të tyre. Gjatë fushatës për balotazh në përgjithësi është vënë re që subjektet politike i kanë dhënë më shumë tubime zgjedhore si dhe kanë mbajtur takime me grupe të interesit.

Përdorimi i resurseve publike


Edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore është shënuar përdorimi i resurseve publike në 18 raste nga 166 aktivitete të monitoruara, ku është vënë re përdorim i automjeteve zyrtare, pjesëmarrje e shërbyesve civile dhe personave zyrtar në fushatë.

Gjuha e urrejtjes


Subjektet politike janë përmbajtur nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes, ku vetëm në një rast nga 166 aktivitetet e monitoruara është shënuar përdorim i gjuhës së urrejtës.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë


Fushata zgjedhore për balotazh është shënuar me pjesëmarrjen e fëmijëve, ashtu si edhe fushata zgjedhore për rundin e parë të zgjedhjeve lokale. Gjatë 5 ditëve fushatë në 28% të aktiviteteve të monitoruara të fushatës zgjedhore është vënë re prania e fëmijëve, në total numri i tyre ka qenë 444 fëmijë. Në 8 raste pjesëmarrja e tyre ka qenë e organizuar.

Qasja e personave me aftësi të kufizuara


Në 30% të aktiviteteve të monitoruara personave me aftësi të kufizuara nuk iu është ofruar qasja. Pjesëmarrje e personave me aftësi të kufizuara është shënuar në 15 aktivitete të subjekteve politike dhe numri total i tyre është 48 persona.

Pjesëmarrja e grave


Në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale janë vetëm 2 kandidate gra për kryetare komune.
Pjesëmarrja e grave ka vazhduar në nivele të ulëta gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Në të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV pjesëmarrja e grave ka qenë nën mesataren 10%. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së grave si folëse ka qenë 12%. Përkatësisht kanë folur 467 burra dhe vetëm 65 gra.

Prania e mediave


Mediat kanë qenë të pranishme në 45% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi dhe kanë raportuar lirshëm.

Ofrimi i sigurisë


Në shumicën dërrmuese të aktiviteteve të monitoruara Polica e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore.

Vëzhgimi i zgjedhjeve dhe përgatitjet nga DnV

Demokracia në Veprim është e gatshme për vëzhgimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në 19 komuna dhe në komunën e Parteshit. DnV ka rekrutuar 1784 vëzhgues afatshkurtër të cilët do të mbulojnë të gjitha vendvotimet.
Qendra Koordinuese do të jetë e vendosur në Prishtinë (Hotel Sirius), ku 130 vullnetarë do të mbledhin të dhënat nga terreni, të cilat do të analizohen dhe bëhen të ditura për publikun.

DnV ka vazhduar të jetë aktivisht e përfshirë në informimin dhe edukimin e votuesve për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje si dhe për mënyrën e votimit.
DnV ju bën thirrje subjekteve politike dhe institucioneve tjera të përfshira në menaxhimin e zgjedhjeve të tregojnë maturi dhe nivel të lartë të përgjegjësisë për të garantuar një proces demokratik dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Institucioneve të sigurisë u bënë thirrje të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë zgjedhore. DnV fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në zgjedhje dhe të vendosin për të ardhmen e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme