Bahtiri vizitoi familjen e heroit Mehë Uka, thotë se mori përkrahjen e saj

Bahtiri vizitoi familjen e heroit Mehë Uka, thotë se mori përkrahjen e saj

17 nëntor 2017 17:00

Me një vizitë që i ka bërë familjes së heroit Mehë Uka dhe homazhet që ka bërë te varri i tij, kandidati i AKR-së për kryetar të Mitrovicës, Agin Bahtiri, i ka përkthyer në përkrahje të familjes për të në garën prë të parin e Mitrovicës.

Në njoftimin për media të kampit të Bahtirit, thuhet se “ai u prit në vizitë nga nëna, vëllai i heroit dhe nipi i Mehë Ukës nga të cilët mori përkrahje”.

“Është nder të vizitosh familjen e heroit të kombit Mehë Uka, e cila ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës. Përkrahja e familjes Uka për mua është obligim që të punoj edhe më shumë, sepse pas çlirimit në vitin 1999, detyra jonë edhe zhvillimi i Kosovës”, ka shkruar Agim Bahtiri në Facebook, njoftimin për të cilin e ka dërguar në media kampi i tij.

Në të nuk citohen familjarët e Mehë Ukës të kenë shprehur ndonjë përkrahje për Bahtirin.

Në njoftim, thuhet se Mehë Uka ishte arsimtar, i burgosur politik, atdhetar dhe i dekoruar si Hero i Kosovës. Mehë Uka lindi më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë ku edhe kreu shkollën fillore. Të mesmen e vazhdoi në Mitrovicë kurse në Prishtinë diplomoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e shkencave matematikore. Kurse më 29 dhjetor të vitit 1996, në fshatin Lushtë, Komuna e Mitrovicës, u vu në pritë nga ushtria serbe ku edhe u vra.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme