Haziri i ofron mbështetje krijuesit të Lamborghinit në Gjilan

Haziri i ofron mbështetje krijuesit të Lamborghinit në Gjilan

17 nëntor 2017 15:43

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot biznesin e Driton Selmanit, i cili punon në servisimin e të gjitha llojeve të automjeteve, por që kësaj radhe dallohet për prodhimin e veturës sportive dhe luksoze “Lamborghini”, që sipas tij deri në finalizim të këtij projekti ka punuar me përkushtim shumë të madh për rreth dy vite deri në përfundim.

Kryetari Haziri, është shprehur i impresionuar me përkushtimin, punën dhe suksesin e arritur në këtë drejtim derisa ka shprehur gatishmërinë për mbështetje edhe në projekte të tjera.

“Jam i impresionuar me punën dhe angazhimin që Dritoni dhe stafi i tij kanë bërë në dizajnimin, projektimin dhe ndërtimin final të ‘Lamborghinit’ luksoz. Gjilani ka kuadro të të gjitha lëmive, që dinë të na bëjnë krenar secili në fushën e vet dhe pa ndaluar asnjëherë. Edhe Dritoni në këtë rast i jep Gjilanit epitetin e qytetit që ka njerëz që e prodhojnë edhe veturën sportive ndër më luksozet siç është kjo këtu. Është vetura e dytë e punuar nga dhe e licensuar tashmë. Neve na gëzojnë të gjitha sukseset e çdo ndërmarrësi që kanë qëllimin e zhvillimit dhe inovacionit në Gjilan. Është koha që shteti t’i mbështes në forma të ndryshme njerëzit sikur Dritoni, që janë kreativ, punëtor dhe që dinë e mund të bëjnë prodhime të tilla”, ka thënë Haziri

Kurse ideatori i kësaj veture luksoze, Driton Selmani, ka thënë se kjo veturë është filluar me përkushtim shumë të madh duke punuar herë pas herë në ndërtim të saj, që e gjitha kjo punë të përfundohet brenda dy viteve.

“Kjo veturë është një prodhim vendor. Është prodhim ‘Made in Gjilan’. Do të vazhdojmë edhe më tutje me projekte të tjera inovative në fushën e ndërtimit të veturave dhe kjo do të jetë vazhdimësi, sepse gjithnjë do të jemi në projekte të reja që i bëjnë nder Gjilanit”, ka potencuar ai.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme