Zgjedhjet lokale

Policia e gatshme për garantimin e sigurisë në ditën e zgjedhjeve

Descriptive Text

Bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor, edhe kësaj radhe ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, që do të mbahen me 19 nëntor.

Me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për balotazh, do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i urdhrit operativ për procesin zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe mbajtja e rendit para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, sigurimin e qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depos qendrore.

Po ashtu edhe përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara do të bëhet sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor të balotazhit.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Policia iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore, me qëllim për të mbrojtur votën e qytetarëve.