Zgjedhjet lokale

Vehapi i bindur në vazhdimin e mandatit si kryetar i Rahovecit

Edhe pse doli i dyti në raundin e parë, Idriz Vehapi është i bindur se më 19 nëntor do të dal fitues në balotazhin për zgjedhjet komunale, kundër Smajl Latifit të AAK-së.

Kandidati i PDK-së, thotë se puna e tij katër vjeçare në krye të Rahovecit do të bëjë që ai të vazhdojë edhe një mandat në krye të kësaj komune.

Pretendenti për të parin e Rahovecit nga PDK-ja, Idriz Vehapi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pasnesër më 19 nëntor pret që të rikonfirmohet fitorja për mandatin tjetër katër vjeçar për t’i realizuar projektet të cilat i ka nisur dhe t’i përfundojnë të gjitha në të mirë të komunës së Rahovecit.

Vehapi thekson se nuk e kishte pritur rezultatin e raundit të parë, porse qytetarët më 19 nëntor do ta zgjedhin PDK-në dhe atë për ta drejtuar komunën, pasi për këtë ai bazohet në punën e tij gjatë mandatit të kaluar.

“Mendoj që zgjedhja e tyre do të jetë për Idriz Vehapin sepse këto katër vite kam qenë shumë i përgjegjshëm me qytetarin e komunës së Rahovecit. Pastaj me të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë direkt apo indirekt me qytetarët e Rahovecit jam munduar t’iu dal në ndihmë me aq sa kam mundur. Dera e kryetarit të Komunës nuk ka qenë asnjëherë e mbyllur për ata që kanë pasur kërkesa që kanë adresuar në Komunë, por edhe të kryetari i komunës. Projektet të cilat i kemi realizuar të gjitha kanë rëndësi vitale për qytetarin”, tha Vehapi.

Vehapi madje shton se për katër vitet e shkuara realizoi më shumë se sa kishte premtuar.

“Premtimet që i kemi realizuar në projekte po iu them që kemi realizuar shumë më shumë projekte se sa kemi premtuar. Shembull ka projekte që nuk janë premtuar por janë realizuar, qoftë shkolla apo edhe infrastrukturë dhe fusha tjera, por gjithsesi premtimet që kemi dhënë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale por që ne kemi pasur udhëheqjen e Qeverisë ka qenë Thaçi dhe premtimet e para, dhënien e subvencioneve në bujqësi janë dhënë pikërisht në komunën e Rahovecit në vitin 2013 dhe gjitha ato premtime që janë dhënë në Rahovec për ta ndihmuar bujqësinë e Rahovecit janë realizuar që nga fillimi i vitit 2014. Dhe kur e them këtë e them me kompetencë të plotë dhe atë bindjen se ato premtime që janë dhënë atëherë në fushën e bujqësisë janë realizuar në masën 100 për qind”, theksoi Vehapi.

Kryetari aktual i Rahovecit, shton se Rahoveci për zhvillim më të shpejt e ka bazën në bujqësi, prandaj bujqësia do të jetë prioritet edhe për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

“Sigurisht se po, bujqësia, do të vazhdohet me subvencione dhe grante, kjo bëhet në bashkëpunim me nivelin qendror. Komunat e kanë obligim të japin informacione qeverisë qendrore se çka i duhet Rahovecit, pastaj pse jo edhe të bëhet një trysni pozitive sepse nëse Rahoveci punon dhe ka vreshta dhe ka dëshirë e vullnet bujqit e Rahovecit të ngritin plantacione të reja mos të kufizohen me procedura burokratike por t’iu jepet mundësia të ngrisin vreshta të reja, sera të reja sepse bujqit kanë mundësi të dalin me herët në treg, pastaj me vonë të kenë produkte, dhe kjo rritë produktivitetin, rriten të hyrat që ndikojnë në punësim”, u shpreh ai.

Pos bujqësisë, Vehapi shtoi se do të kërkojnë që të kenë edhe një zonë ekonomike për t’iu mundësuar bujqve t’i ngritin kapacitetet e tyre.

“Pastaj ne do të insistojmë ta kemi edhe një zonë ekonomike ku do të ishte e mundshme që të gjithë ata që duan të ngritin kapacitete përpunuese të këtyre prodhimeve që bëhen në komunën tonë të bëhet kjo, pse mos të bëhet mos të ketë neglizhencë qoftë për mos të mos posedimit të pronës komunale, pse mos të vendoset që një prone e cila menaxhohet nga agjencioni i pyjeve ose kushdo tjetër, pse mos të kthehet më shërbim komunës së Rahovecit. Të gjitha këto barriera duhet të eliminohet dhe kjo mund të bëhet pas një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë mes nivelit lokal dhe qendror dhe kjo është shpejtim i zhvillimit ekonomik”, shtoi ai.

Përveç investimeve në bujqësi, Vehapi përmend edhe vazhdimin e projekteve infrastrukturore, kanalizimet, pasi sipas tij, ujërat e zeza janë një problem i madh. Ai shtoi se do të investojnë edhe në arsim, me ndërtimin e shkollave, pajisjen e tyre me inventar të nevojshëm. Derisa, edhe fusha e shëndetësisë do të ketë fokus të veçantë, pasi aktualisht ka mungesë të mjekëve. Vehapi tha se nuk do ta lënë anash as kulturën, rininë e sportin.

Ndërsa, i pyetur nëse ka ndonjë marrëveshje me ndonjërën nga partitë që s’kanë arritur të futën në balotazh, Vehapi tha se kanë pasur bisedime por jo edhe marrëveshje të shkruar. Megjithatë, beson në përkrahjen e qytetarëve që kanë votuar ato parti.

“Pas raundit të parë kemi qenë të hapur për të gjitha partitë që nuk e kanë vazhduar garën për të biseduar por edhe pse jo për të arritur një marrëveshje eventuale. Gjithsesi nuk ka pasur raste që janë deklaruar për marrëveshje zyrtare por është një bindje që pjesa e madhe e elektoratit, partive që nuk e kanë kaluar raundin e parë dot a votojnë Idriz Vehapin, sepse ne e kemi bindur votuesin, qytetarin e Rahovecit me punën tonë korrekte dhe shumë transparente, madje jemi shpallur komuna me transparencën me të madhe në regjionin e Prizrenit dhe kjo është nga organizatat monitoruese që kryejnë këto monitorime. Dhe besoj se qytetari e vlerëson këtë”, tha Vehapi.

Kandidati i PDK-së, Idriz Vehapi, synon mandatin e dytë radhazi si kryetar i Rahovecit, pasi në vitin 2013 kishte marrë drejtimin e kësaj komune.