Vetëvendosje në Malishevë akuzon Begajn për fushatë të egër ndaj saj

Vetëvendosje në Malishevë akuzon Begajn për fushatë të egër ndaj saj

17 nëntor 2017 13:05

Zgjedhjet janë një mekanizëm i rëndësishëm i demokracisë përmes së cilës qytetarët përcaktohen dhe vendosin për llojin e programit dhe qeverisjes që ata duan të kenë gjatë një mandati në komunën, fshatin, lagjen e tyre.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit ne u angazhuam me tërë qenien tonë që të sjellim ndryshimin e domosdoshëm në Malishevë i cili edhe kësaj here u mohua nga ata që po e mbajnë peng Malishevën tash e sa vite.

Keqpërdorimi i resurseve publike dhe gjendja e rëndë socio ekonomike fatkeqësisht po vazhdojnë ta përcaktojnë të ardhmen politike të komunës sonë, ku në vend të programit mbivendoset klientelizmi, ku në vend të vullnetit të lirë mbivendoset blerja e votës, ku në vend të mirëqenies së të varfërve mbivendoset votimi i kushtëzuar me largim/pranim pune dhe mohim/përfitim ndihmash sociale.

Në këtë drejtim ne dënojmë ashpër fushatën e egër të Ragip Begajt dhe qeverisjes së tij kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktivistëve të saj si dhe familjeve të tyre me qëllim që me çdo kusht ta sigurojë mbijetesën e tij politike.

E sotmja dhe e ardhmja, madje edhe e kaluara e Malishevës po mbetën peng i partive dhe qeverisjeve që e kanë mbytur guximin dhe ngulfatur vullnetin qytetar, e kanë keqpërdorur bujarinë dhe shkelur dinjitetin e qytetarëve, duke vendosur raporte varësie që e trajtojnë qytetarin sikur lypsarë duke ia luftuar po ato vlera me të cilat shquhej Malisheva dikur.

Kjo ka bërë që qindra të rinj në vit të ikin nga Malisheva, të mashtruar, të zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur, duke parë se si fëmijët dhe familjarët e pushtetarëve bashkë me militantët partiak ua marrin vendet e punës atyre që kanë master e doktoratura, përvojë e dije.

Pra, fatkeqësisht Malisheva edhe në këto zgjedhje po mbetet pa alternativë që e nxjerrë komunën tonë nga rrethi i kapjes nga grupe dhe individë që e kanë “mjelë” atë për vite të tëra.

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Malishevë, që nga themelimi i saj përmes aktiviteteve, aksioneve dhe veprimtarisë së saj ka treguar se mbetet forca e vetme politike e cila synon ndryshimin e vërtetë në Malishevë. Edhe pse në një proces zgjedhor në të cilin vendosi paraja e pushtetit dhe pushteti i parasë, ajo megjithatë arriti që ta dyfishojë votën e cila ishte me mendje dhe me zemër.

Andaj, një falënderim i veçantë i dedikohet të gjithë atyre qytetarëve që na votuan duke na parë si alternativën e vetme politike që garanton një Malishevë më demokratike, më të qytetëruar, më progresive, me barazi pa diskriminim.

Sot, kur zgjedhjet për balotazh po afrohen qëndrimi ynë karshi tyre është mese i qartë. Qytetarët e Malishevës nuk kanë përballë dy, por një parti me dy fytyra, secila më e deformuar se tjetra.

Nuk duhet harruar vitin 2013 dhe motivet që quan në ndryshimin e qeverisjes në Malishevë, ndryshim i cili doli të jetë mashtrim, që u keqpërdorë dhe po keqpërdoret në mënyrën më të paskrupullt nga qeverisja aktuale, e cila e kalbur nga korrupsioni dhe nga mendësia sa e prapambetur aq edhe ‘’ llaskuce’’ i’a tejkaloj edhe keqqeverisjes Kilaj.

Pra, ajo fije shprese për ndryshim dje, sot është shndërruar në litar dhe lak që po e ngulfat Malishevën dhe qytetarët e saj.

Në balotazhin e 19 nëntorit qytetarët e Malishevës janë të mohuar nga ndryshimi rrënjësor, prandaj mbetet të zgjedhin në mes bojkotit të zgjedhjeve, apo mundësisë që së paku ta qartësojnë dhe pastrojnë skenën politike duke zgjedhur që të këndellen nga mashtrimi.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme