Haziri  vs  Kurteshi

Haziri vs Kurteshi

17 nëntor 2017 11:31

Gjilan, 17 nëntor- Lutfi Haziri, kandidat për kryetar komune nga radhët e LDK-së pretendon që ta qeverisë edhe një mandat 4 -vjeçar Komunën e Gjilanit. Ai në raundin e parë të zgjedhjeve më 22 tetor ka arritur të fitonte 19 mijë e 755 vota apo 43 për qind.

Ndërsa Sami Kurteshi , kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit ka fituar 12 mijë e 614 vota apo 27. 78 për qind të votave të elektoratit. Të dy kandidatët për kryetar komune janë duke u ballafaquar me njëri-tjetrin në raundin e dytë të zgjedhjeve me pretendimin që njëri të arrijë të fitojë kolltukun e kryetarit të komunës. Lutfi Haziri nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka qeverisur Gjilanin, dhe gjatë kësaj periudhe deklaron se ka arritur që të shlyente borxhet e trashëguara nga ish-qeverisja e kaluar, fillimin e investimeve në infrastrukturën rrugore siç është ndërtimi i hyrjeve dhe daljeve të qytetit, investimet në ndërtimin e sistemit të kanalizimit në lumin Mirusha, dhe ndërtimin e sheshit mbi atë lumë, shkruan sot Koha Ditore.

Pastaj edhe investimet në ndërtimin e infrastrukturës rrugore nëpër zonat urbane dhe ato rurale. Haziri në fushatën elektorale ka deklaruar se ai ka vizionin për mënyrën sesi duhet të ndërtohet Gjilani, i cili vizion është përqafuar edhe nga qytetarët. Ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të bëhet rindërtimi i qendrës së qytetit , investime në Tregun e gjelbër si edhe ndërtimi i kampusit universitar. Ndërsa, është zotuar se do të investohet në trajtimin e ujërave të zeza. “Do të vazhdojmë projektet edhe në mandatin tjetër 4-vjeçar ku qendra e qytetit do të zgjerohet dhe objektet e vjetra komunale do të rrënohen me qëllim që të ndërtohet sheshi. Do të bëhet ndërtimi i kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza ku do të përfundohet edhe me trajtimin e lumit Stanishorka, dhe lumit Mirusha.

Do të ndërtohet Tregu i Gjelbër dhe Tregu i kafshëve, ndërsa ne kemi themeluar ndërmarrjen “Tregu”, e cila do të menaxhojë të gjitha tregjet në Gjilan. Do të ndërtojmë objektin për zjarrfikësit si edhe do të ndërtojmë edhe kampusin universitar. Në procedura janë edhe ndërtimi i palestrës sportive në fshatin Zhegër “ ka thënë Haziri i cili gjatë fushatës elektorale kishte thumbuar shpeshherë kundërkandidatin e tij nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, duke shprehur i sigurt se VV-ja nuk do të arrijë të korrë suksese. “Qytetarët e Gjilanit e kanë refuzuar ideologjinë marksiste që po i thonë ata e leniniste karshi një ideologjie që kemi ne me besim në familje, atdhe dhe në Zot. Ne kemi rival sikurse që i kemi pasur ata të tjerët që nuk po i përmend askush. Funksionarëve të tyre po u vjen turp në cilën parti janë aq keq janë sjellë me qytetarë në emër të tyre, dhe ka ardhur në një pikë që nuk guxojnë me përmend partinë”, ka thënë Haziri.

Ndërsa Sami Kurteshi, kandidat për kryetar të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës elektorale ka deklaruar se do të investojë në trajtimin e ujërave të zeza, të cilat kapin koston prej 10 milionë eurosh, krijimin e ndërmarrjes së trafikut urban , ndërtimin e infrastrukturës për Tregun e gjelbër, investime në ndërtimin e rrugëve si në zonat urbane ashtu edhe në zonat rurale. Është zotuar se do të dyfishojë çerdhet dhe do të ndërtojë edhe shkolla.

“Do të implementojmë programin që ka të bëjë me dyfishimin e çerdheve dhe institucioneve në Gjilan, shujta falas për nxënësit e klasave të ulëta nga klasa e parë deri në klasën e pestë, si edhe shërbime të rregullta mjekësore ndaj nxënësve dhe sigurimin e infrastrukturës për shkollat. Kurteshi zotohet se në mandatin e tij do të përmirësohen shërbimet shëndetësore dhe do të bëhet stabilizimi i Teatrit të qytetit me aktorë dhe do të mbështetet edhe sporti. Zotim tjetër është ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave te zeza, dhe rregullimi i gjendjes në lumin Mirusha dhe Stanishorka”, ka thënë Kurteshi.

Ai është zotuar se do të mbështesë bujqësinë, por do të merret edhe me përfundimin e procesit të legalizimit të ndërtimeve dhe do të rrisë transparencën e Administratës komunale, bashkëpunimi ndërkomunal, vlerësimi i gjendjes së ujësjellësve dhe do të ofrojë shërbime për qytetarët. Është zotuar se do të përkujdeset për kategoritë e ndryshme shoqërore siç është inkuadrimi i personave me aftësi të kufizuara në institucionet publike, kujdesin institucional për familjet e kategorive të dala nga lufta, kujdesi për rastet e rënda sociale dhe grupet e margjinalizuara, programi për përkujdesje shoqërore e mjekësore për personat e moshuar pa përkujdesje familjare e shoqërore, dhe i personave me aftësi e nevoja të veçanta. Ndryshe edhe LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë lidhur asnjë koalicion me asnjë parti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme