Ahmeti: E ndalëm të keqen, na duhet t’i vazhdojmë reformat

Ahmeti: E ndalëm të keqen, na duhet t’i vazhdojmë reformat

16 nëntor 2017 23:55

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që si kandidat i Vetëvendosjes synon edhe një mandat 4 vjeçar në krye të kryeqytetit, në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë “në mandatin e parë e kemi ndalur të keqen, e kërkojmë mandatin e dytë për t’i vazhduar reformat”.

“Prej 12 premtimeve të kaluara i kemi përmbushur 11. Programi jonë për katër vitet e ardhshëm bazohet në 10 shtylla me 100 zotime, të cilin edhe në këto pesë ditë të fushatës i kemi shpalosur para qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë se ftesës për këtë debat nuk i është përgjigjur kandidati i Ahmetit nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, me arsyetimin e agjendës së ngjeshur.

Sidoqoftë, Ahmeti ka folur për koalicionin me AKR-në, dhe kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli.

“Ne jemi në koalicion me AKR-në që dy vite e gjysmë. Besart Vllahinja, drejtor i Kulturës dhe Ferat Makolli, drejtor i Bujqësisë kanë qenë nga radhët e AKR-së, siç ka qenë Gent Begolli nga AAK. Me z. Pacolli ka qenë diskutim shumë i lehtë, edhe në fushatë ka qenë konstruktiv. Ishim 7 kandidatë prej të cilëve 5 më sulmonin, ndërsa vetëm Pacolli fliste për programin e vet”, ka thënë Ahmeti.

Sa i përket projektit më të madh të prezantuar nga Pacolli në fushatën e tij, ai i zhvendosjes së kampusit universitar të UP-së, Ahmeti ka thënë se Universiteti nuk do të zhvendoset.

Ai ka thënë se marrëveshjen e ka negociuar me Selim Pacollin, me të cilin ka thënë se nuk janë diskutuar çështjet e ndarjes së posteve. Kësisoj, ende nuk është vendosur nëse ai do të ishte nënkryetar i Komunës në rast të fitores. Por ka thënë se Rrahim Pacolli nuk do të jetë në kabinetin e tij. Ka thënë se ai merr garancë për zbatimin e programit të përbashkët.

I pyetur se a pret që ta votojnë votuesit e PDK-së nga 22 tetori, Ahmeti ka thënë se votuesit nuk i sheh si pronë të dikujt.

Ahmeti ka folur edhe për Spitalin e Prishtinës, dhe idenë e kundërkandidatit të tij për ndërtimin e tij. Ahmeti ka thënë se ajo po bëhet për hir të fushatës.

“Ne e kemi rregulluar sistemin e Qendrave të Mjekësisë Familjare, që është baza. Spitali i Prishtinës nuk është vetëm një ndërtesë. Ne, në vitin 2018, do të nisim diskutimin me Qeverinë dhe me QKUK-në se a ka arsyeshmëri që të ndërtohet Spitali i Prishtinës dhe çfarë shërbime mund të marrë”, ka thënë Ahmeti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme