Zgjedhjet lokale

Premtimet e Ahmetit për Bregun e Diellit

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka premtuar se në Bregun e Diellit do të ndërtojë Qendrën Sociale për të moshuarit, si dhe do të rregullojë disa plato, do të ndërtojë parkingje, e një kënd të lojërave.

“Banorët e Bregut të diellit janë shumë të kënaqur me qeverisjen e deritashme të Prishtinës, me reformat që janë bërë dhe me projektet që po zhvillohen. Një përkrahje e madhe u pa edhe sonte në tubimin e organizuar në mbështetje të Shpend Ahmetit”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes, transmeton Koha.net.

Në këtë tubim, Ahmeti foli për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

“Bregu i Diellit është një nga lagjet më të mëdha të Prishtinës. Do të ndërtohet Qendra Sociale për të moshuarit; Do të rregullohet platoja tek Banesat e Bardha; Do të rregullohet platoja tek Qendra Tregtare; Do të rregullohet platoja në rrugën “Azem Shkreli”; Do të rregullohen parkingjet e lagjeve me sistemin tonë të ri; si dhe do të ndërtohet këndi i lojërave në rrugën ‘Mehmet Gradica’”, theksoi Ahmeti.

Në fund, Ahmeti u bëri thirrje banorëve të Bregut të Diellit që të vijnë masivisht të premten, në ora 19:30, në palestrën e sporteve “1 Tetori”, për ta përmbyllur bashkë fushatën.