Zgjedhjet lokale

Kusari – Lila: Damjani do bëhet me çerdhe të fëmijëve

Kandidatja e Alternativës për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, së bashku me përfaqësues tjerë të koalicionit “Bashkë për Gjakovën”, kanë qëndruar në fshatin Damjan, ku janë pritur nga një numër i madh i banorëve.

Të arriturat e këtyre katër viteve, investimet milionëshe në rajonin e Hasit, nevojat dhe projektet e reja që janë përfshirë në programin “#plus4”, ishin disa nga adresimet që Kusari – Lila bëri para banorëve të fshatit Damjan, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Së pari dua t’i falënderoj të gjithë banorët e komunës së Gjakovës, për fushatën e qetë të treguar në procesin zgjedhor, por tani kur jemi në finale e këtij procesi, na duhet mobilizim i përgjithshëm për të vazhduar rrugën e trasuar të zhvillimit. Para jush janë dy oferta politike të cilat dallojnë shumë njëra nga tjetra. Një ofertë përbëhet nga forcat politike që e duan punën dhe angazhimin për zhvillimin e komunës së Gjakovës, kurse një ofertë tjetër e cila përbëhet prej dy partive politike që këto ditë kanë përdorur elemente kushtëzuese për përfitime politike. Jam shumë e lumtur që përkundër të gjitha sfidave kemi arritur që në rajonin e Hasit të investojmë mbi 4 milionë euro. Këto investime do t’i vazhdojnë edhe në programin #plus4, por meqë jemi në Damjan më lejoni t’ju siguroj që Damjani do ketë së shpejti objektin e çerdhes së fëmijëve dhe renovimin e zyrës së vendit”, ka thënë ajo.

Gjatë këtij takimi banorëve të Damjanit ju janë drejtuar me fjalë rasti deputeti, Ilir Deda, si dhe përfaqësuesit e LDK-së,VV- së dhe AKR-së, si pjesë e koalicionit.