Ymeri: Haskuka, njeriu që i jep shpresë Prizrenit

Ymeri: Haskuka, njeriu që i jep shpresë Prizrenit

16 nëntor 2017 19:18

Në tubimin zgjedhor në Prizren, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur kandidatin për kryetar, Mytaher Haskukën, njeri që i jep shpresë Prizrenit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie, përkatësie kombëtare apo fetare.

Ymeri ka thënë se Haskuka sjell zhvillim e mirëqenie për të varfrit, investime e prodhim për të papunët, drejtësi e barazi për të nëpërkëmburit, shujta falas e kontrolla mjekësore për nxënës, transparencë në punësim e rregull në arsim për mësuesit e profesorët, përmirësim të kushteve e mirëmenaxhim të shëndetësisë primare për mjekët e infermierët, rritje të investimeve e subvencione për bujqit, përkrahje për zejtarët dhe mbështetje për artistët, bëhet e ditur përmes një komunikate për media, transmeton Koha.net.

“Myta është njeri që nuk len asnjë hapësirë dyshimi në të. Nëse e marrim nga ana profesionale, ai ka shkëlqyer në secilin angazhim të tijin. Myta kontribuoi si udhëheqës i ekipit për Hulumtime, Politika, Çështje Gjinore dhe Komunikim në UNDP-Kosovë. Ai punoi në shumë hulumtime zhvillimore dhe analiza të ligjeve dhe politikave. Ai është njëri ndër ekspertët më të mirë që punuan në Raportet e Zhvillimit Njerëzor të UNDP-së në Kosovë”, ka thënë Ymeri.

“Po ta marrim nga ana akademike, edhe këtu arriti majat. Myta e fitoi gradën doktor i shkencave të psikologjisë sociale në Universitetin ‘Ludwig Maximilian’ në Mynih të Gjermanisë, ndërsa studimet post-diplomike Master i kreu në Universitetin Bogazici në Stamboll. Ai tani është profesor asistent në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Duke qenë profesor, por edhe modest e me urtësi, Myta ka kontribuar shumë në ngritjen e shumë kuadrove në lëminë e psikologjisë. Jo vetëm që shpërndanë dije, por edhe bëhet model për studentët e tij”, ka thënë tutje Ymeri.

Ymeri ka folur edhe për angazhimin politik të Haskukës, duke përmendur kontributin e madh të tij në shumë çështje si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai theksoi kontributin e tij në problematizimin e çështjes së fyerjes së faturave dhe çështjes së të pagjeturve.

“Kur u bë deputet, Myta ishte deputet i Prizrenit. Disa herë e ngriti çështjen e ndërtimeve në Kalanë e Prizrenit. Ai tregoi se si ndërtimi i objekteve të reja në Kalanë e Prizrenit ka nxitur reagime nga banorët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore, që perceptojnë si degradim të lokalitetit arkeologjik”, tha tutje Ymeri.

“Nuk ka shpresë pa Mytën, nuk ka Prizren pa shpresë, nuk ka qytetarë pa Prizrenin, nuk ka komunë pa qytetarët. Nuk ka zhvillim pa ndryshim, nuk ka përparim pa angazhim, nuk ka qeverisje po nuk u bë me mendje, nuk ka solidaritet po nuk u bë me zemër e nuk ka barazi po nuk u bë me përkushtim. Nuk ka politikë po nuk qe e ndershme, nuk ka luftim të korrupsionit po nuk u bë me guxim, nuk ka zhvillim po nuk u bë me program e nuk ka zgjidhje nëse zgjedhja nuk është Myta. Nuk ka numër tjetër përveç numrit 10. Nuk ka rrugë tjetër përveç fitores. Prizreni nuk ka mundësi tjetër përveç Mytaherit. Vetëm për Mytaherin flisni deri të shtunën. Vetëm numrin 10 mbajeni në mend të dielën. Bashkë me Mytaherin qeverisni të hënën”, ishte porosia e Visar Ymerit për prizrenasit.

Kurse kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune ka falënderuar mbështetësit e tij dhe ka thënë se Prizreni në njërën anë e ka opsionin e krimit dhe korrupsionit, kurse në anën tjetër mundësinë për jetë me dinjitet.

“Prizreni ka shumë burime të ujit. Sipas ekspertëve Prizreni ka 725 litra ujë në sekondë, kjo do të thotë që kemi ujë për gjysmë milion banorë. Por në shumë shtëpi 18 vite mbas lufte, pas tre mandate qeverisje të klanit ‘Pronto’ ende ka mungesë uji. Unë iu premtoj që brenda afatit katër vjeçar të qeverisjes sonë do të ketë ujë në gjitha lagjet dhe fshatrat e Prizrenit”, ka thënë Haskuka duke shpalosur zotimet e tij.

Më tej ai ka folur për problemet me ujërat e zeza, të cilat ndotin edhe lumin “Lumbardhi”, me ç’rast ka thënë se me qeverisjen e tij nuk do të ngordhin peshqit në këtë lum nga ndotja e tij, por se do të zhduken peshqit e mëdhenj të korrupsionit.

“Në qendrën historike nga 362 monumente nën mbrojtjen e shtetit, 226 shtëpi tradicionale janë shkatërruar, 65 prej tyre janë para shkatërrimit, 30% i hapësirave publike është e uzurpuar. Këtë do ta rregullojmë ato që na kanë mbetur do ti ruajmë, ato janë historia jonë, gjersa uzurpatorët do ti largojmë nga hapësirat publike dhe ato do ti kthejmë fëmijëve tanë si parqe të gjelbëra dhe fusha futbolli e basketbolli”, ishte zotimi tjetër i Haskukës.

Haskuka më tej ka shpalosur zotimin e tij për përkrahjen e bujqve dhe fermerëve, ruajtjen e artizanaleve të shumta që janë karakteristikë e këtij qyteti dhe ka folur për bashkëpunim të ngushtë me mërgatën, gjegjësisht ofrimin e mundësisë për investime në Prizren.

“Këta qeverisjen e shohin si sundim, pushtet e privilegj, prandaj edhe thonë që Prizrenin e kanë Jerusalem, prandaj edhe duan ta mbajnë me zor. Por një herë në 4 vite ne e kemi shansin dhe me datën 19 nëntor kemi këtë rast, e kemi rastin që sundimin ta kthejmë në qeverisje, pushtetin në shërbim, e privilegjet në detyra. Pra me 19 nëntor ne do të ju heqim privilegjet dhe pushtetin e tyre dhe në vend të tyre ju do të keni qeverisjen e mirë me detyrat dhe shërbime ndaj qytetarëve të Komunës së Prizrenit”, tha veç tjerash, Haskuka.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të bashkohen rreth ndryshimit, duke e parë këtë si të vetmen rrugë që e sjell ndryshimin. Ai po ashtu tha se përderisa në njërën anë janë të korruptuarit, të shantazhuarit e frikacakët, në anën tjetër duhet të bëhen bashkë qytetarët pavarësisht përkatësive kombëtare e fetare apo dallimeve tjera.

“Pas shumë betejave, sot jemi para finales, e ajo është me datën 19 nëntor. Shumë pare po derdhen në Prizren, e atë ditë do të derdhen edhe më shumë, por me datën 19 nëntor vullneti do ta nokautoj paren, liria do të nokautoj shantazhin, guximi do të nokautoj frikacakët. Prizreni do të iu japë një nokaut të madh hajnave të klanit ‘Pronto’. Më 19 nëntor hajnia dhe paraja do të humbas, më 19 nëntor do të fitojë bashkimi dhe liria. Atë ditë do të fitojë Prizreni me zemër dhe me mendje”, ishte porosia e Haskukës nga ky tubim.

Në tubimin zgjedhor në Prizren, deputeti Albin Kurti ka thënë se qeverisja e Mytaher Haskukës në këtë komunë do të jetë sikurse vetë Haskuka, parimore dhe e ndershme e punëtore dhe e guximshme. Ai tha se Haskuka e ka vullnetin, dijen dhe përvojën, ndaj është kandidati më i mirë për Prizrenin, për të cilin tha se është në gjendje të rëndë si pasojë e qeverisjes aktuale.

“Është bërë shumë vështirë të jetosh në Prizren si njeri i ndershëm, i ditur e punëtor. Nëse je i ndershëm, të quajnë naiv. Nëse je punëtor, të quajnë të paditur. Nëse je i ditur të quajnë të pafat. Dhe është bërë e mire jetesa për të korruptuarit dhe të këqijtë, për dallaveraxhinjtë e matrapazët. Me ne kjo ndryshon. Të ndershmit jetojnë kollaj e mire dhe jo më, kurrë më, të korruptuarit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ai ka ironizuar me kandidatin e PDK-së Totaj, të cilit ia ka përmendur premtimin për shtrimin e një rruge, e cila tashmë është e shtruar, duke thënë se ai nuk i njeh problemet e Prizrenit. Kurti ka thënë për Totajn se ai asnjëherë nuk është distancuar nga qeverisja e Ramadan Mujës në Prizren, madje ka shtuar se ai e ka ndërmend që ta vazhdojë atë qeverisje të pafytyrë, duke ia huazuar fytyrën e tij.

“Premton Mytaheri – punë e zhvillim, përgjigjet PDK – papunësi e mjerim. Premton Mytaheri – për të gjithë ujë, përgjigjet PDK – mos fol për shujtë! Mytaheri premton Prizren me gjelbërim, PDK përgjigjet – me ne as parking. Premton Mytaheri – Prizreni komunë e hapur, përgjigjet PDK – me ne, Prizreni komunë e kapur”, ka thënë Kurti duke krahasuar zotimet e VV-së me qeverisjen aktuale nga PDK, duke u zotuar më tej se Prizreni i kapur merr fund me qeverisjen e Mytaher Haskukës.

Kurti ka thënë se Shaqir Totaj është i shantazhuar nga partia e tij, për çfarë ka thënë se ndjehet i frikësuar. Kurse, për marrëveshjen mes PDK-së dhe KDTP-së ka thënë që është pazar mes personash, konkretisht krerëve të dy partive, dhe e ka quajtur këtë marrëveshje vepër penale që shkel shumëfish ligjin.

“Gishtin në kokë, dorën në zemër, voto këtë emër e mbiemër – Mytaher Haskuka, i pari në listë për garë, Prizrenit i duhesh kryetar”, ka thënë në fund Kurti në tubimin në Prizren.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme