Mustafa: Autostrada që lidh Anamoravën dhe Luginën është mëritë e LDK-së dhe Hazirit

Mustafa: Autostrada që lidh Anamoravën dhe Luginën është mëritë e LDK-së dhe Hazirit

16 nëntor 2017 18:30

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten se fitorja e Lutfi Hazirit është fitore e të gjithë qytetarëve të Gjilanit, sepse Haziri e ka dëshmuar se qeveris mirë dhe me transparencë të plotë.

“Qeverisja e LDK-së dhe kryetarit Lutfi Haziri, e ka rikthyer Gjilanin dhe Anamoravën në skemat e investimeve. Autostrada që do ta lidh Gjilanin me Prishtinën e me Luginën e Preshevës është meritë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rezultat i këmbënguljes së Lutfi Hazirit. Lutfi Haziri e ka mbrapa krejt Lidhjen Demokratike të Kosovës, forcën më të madhe politike të Kosovës, për ta mbrojtur projektin e autostradës. Nuk do të ketë forcë që e ndal realizimin e këtij projekti”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se asnjëherë sa këto 4 vjet të qeverisjes së Lutfi Hazirit dhe LDK-së nuk ka pasur investime në Gjilan.

“Kryetari Lutfi Haziri dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë të vendosura për ta vazhduar qeverisjen e mirë, transparente dhe zhvillimore të Gjilanit. Prandaj, ballëhapur u kërkojmë votën gjilanasve për kryetarin e tyre. Sepse Luta ka platformën më të mirë qeverisëse të zhvillimit ekonomik të Gjilanit”, pohoi Mustafa.

Ai tha Haziri dhe LDK-ja i ka mbajtur premtimet, ka qeverisur me duar të pastra dhe në asnjë komunë të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pasur skandale.

“Gjilani sot ka pamje të re dhe ka perspektivë. Perspektivën ia siguron qeverisja e LDK-së, e udhëhequr nga Lutfi Haziri. Prandaj ju kërkoj që më 19 nëntor të dilni të gjithë në zgjedhje. Mos i lejoni askujt të eksperimentoj me formula që janë treguar të dështuara. Siguroni fitoren e thellë të Lutfi Hazirit. Kështu ju do t’i jepni përgjigjen që meritojnë komplotistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atyre që më shumë se gjithçka tjetër, u pengon Lidhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës me qytetarin e Kosovës, Dardanisë Antike, siç thoshte Presidenti Rugova”, ka thënë kreu i LDK-së.

Ai i ka ftuar qytetarët të mos i dëgjojnë shpifjet e rivalëve tanë. “Lidhja Demokratike e Kosovës, e Lidhur vetëm me qytetarët e Kosovës, shumë shpejt do ta qeverisë krejt Kosovën. Sepse vetëm ne qeverisim me duar të pastra, pa afera korruptive dhe me përgjegjësi përpara qytetarëve. Vetëm ne e luftojmë krimin e organizuar e korrupsionin. Prandaj, Ju thërras që 19 nëntorin ta shndërrojmë në referendum për të ardhmen e Gjilanit e Anamoravës dhe krejt Kosovës. Votoni kandidatin tonë për kryetar të Gjilanit, Lutfi Hazirin. Bisedoni edhe me fqinjët tuaj dhe shpjegojani se vota për Lutfi Hazirin është votë për të ardhmen e secilit prej tyre, pavarësisht bindjeve politike”, ka përfunduar Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i bindur se qytetarët e kësaj komune nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveç LDK-së.

Sipas tij, qytetarët e Gjilanit nuk duhet të humbasin kohë sepse këtu ne do të vazhdojmë me zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, ndërtimin e infrastrukturës dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë e kësaj komune.

“Sot jam para Jush për t’u zotuar se një mandat tjetër në Gjilan ne do të vazhdojmë të punojmë për secilin qytetar, duke ndërtuar rrugë, kanalizime, ujësjellës dhe shkolla, çerdhe, stadiume, shtëpi kulture, sepse ne kemi krijuar parakushtet. Ne kemi buxhetin. Të tjerët po presin kot, sepse lezeti i këtyre zgjedhjeve do t’u mbetet vetëm bilbordat dhe video spotet”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se qeverisja aktuale e Gjilanit ka krijuar kulturën dhe brendin e prodhimeve të ndërmarrësve të suksesshëm të Gjilanit, të cilët prodhimet e tyre tash i plasojnë në tregun evropian. “Këta janë heronjtë e sotëm të Kosovës, të cilëve u ka dalë krah qeverisja qendrore e LDK-së, e udhëhequr nga Isa Mustafa”, ka thënë Mustafa.

Haziri ka thënë se komuna e Gjilanit është kujdesur dhe do të kujdeset edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, të cilët me investimet infrastrukturore, do ta kenë më të lehtë të komunikojnë me Kosovën, ashtu sikurse edhe bashkatdhetarëve që do t’ua shkurtojmë rrugën e rikthimit tek familjet e tyre.

“Përkundër faktit se qeveria aktuale i ka zbehur shpresat e qytetarëve për zhvillim e integrim, ne do të vazhdojmë të punojmë për të mbajtur gjallë këto shpresa, deri në kthimin e LDK-së në qeverisje të vendit dhe derisa shumicën e komunave të Kosovës ta udhëheqin kuadrot e LDK-së, ka thënë Haziri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme