Zgjedhjet lokale

AAK-ja akuzon Kusari – Lilën se po shpërndan ndihma në këmbim të votave

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar kandidaten e Alternativës për kryetare të komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lilën se po shpërndan ndihma në këmbim të votave.

Përmes një komunikate për media AAK-ja thotë se Kusari – Lila, me ndërmjetësimin e disa personave, por shpërndan ndihma për komunitetin RAE në këmbim të votave të tyre, transmeton Koha.net.

“Këto ditë kandidatja e Alternativës për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, me ndërmjetësimin e disa personave që janë të njohur për organet e rendit në Gjakove, në këmbim të votave po shpërndan ndihma komunitetit RAE”, thuhet në komunikatë.

Më tutje AAK thotë se, “si dëshmi kemi mbi 160 kopje të dokumenteve identifikuese të personave që kanë marrë dhe po marrin ndihma në këmbim të votës. Dokumentet identifikuese u janë marrë për t’i frikësuar votuesit dhe për të vërtetuar votën më 19 nëntor. Prokuroria po bënë hetime rreth këtij rasti”.

“Ka kohë që AAK-ja po e vërteton se Alternativa i kryen vet veprimet jashtëligjore dhe të ulëta për të cilat i akuzon të tjerët”, thuhet në komunikatë.