Zgjedhjet lokale

Kusari – Lila: Reka e Keqe me ujë të pijes, Ponosheci me shkollë të re në 4 vitet e ardhshme

Kandidatja e Alternativës për kryetare të komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, në mbrëmjen e sotme ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Ponoshec, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ajo ka prezantuar angazhimet konkrete që janë ndërmarrë në katër vjeçarin e parë për rajonin e Rekës së Keqe, e veçmas për fshatin Ponoshec, transmeton Koha.net. Ndërsa ka premtuar zgjidhjen e problemit të ujit të pijes për Rekën e Keqe.

“ Bashkërisht, sonte po e konfirmojmë fitoren më 19 nëntor, me avancimin e projekteve të rëndësishme jo vetëm për Rekën e Keqe por për gjithë komunën e Gjakovës. Dallimi në këto zgjedhje është i thjeshtë, një bashkim i forcave politike progresive për zhvillimin e komunës së Gjakovës dhe forcave që objektiv të vetëm e kanë interesin e individëve dhe grupeve të caktuara që ju shërbejnë. E gjithë ajo çka ne mund të ju garantojmë është puna, transparenca dhe llogaridhënia dhe vlera e gjithë kësaj është që unë jam kryetarja e banorëve të Komunës së Gjakovës, e nuk jam lodra e direktivave që i komandojnë tjerët për interesa politike. Ponosheci në katër vitet e ardhshme do të bëhet me shkollën e re, konform kërkesave të banorëve të Ponoshecit”, ka thënë Kusari – Lila.

Gjatë takimit ishin prezent edhe përfaqësuesit e AKR-së, si pjesë e koalicionit.