Kurti: Me Bahtirin fiton Mitrovica, me Valdete Idrizin fiton SHIK-u

Kurti: Me Bahtirin fiton Mitrovica, me Valdete Idrizin fiton SHIK-u

16 nëntor 2017 18:07

Në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, Aleanca Kosova e Re ka mbajtur tubimin përmbyllës në qytetin e Mitrovicës, ku qytetarëve të kësaj komune iu premtua zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.

Për të mbështetur Bahtirin, i pranishëm në këtë tubim ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se Mitrovica i ka dhënë shumë Kosovës në të gjitha fushat, porse ka marrë vetëm të këqija nga qeverisjet e kaluara. Për këtë, Kurti tha se është e domosdoshme që të mos lejojnë që ata që kanë lejuar ndarjen e Mitrovicës në urë e lum, të qeverisin me të.

Votën për Agim Bahtirin, Kurti e quajti votë të dyfishtë pasi që në këtë mënyrë sipas tij, fiton Mitrovica dhe nuk fitojnë ata që humbën para katër vjetëve.

Sipas Kurtit, Bahtiri u thotë po qytetarëve, përderisa kundërkandidatja e tij Valdete Idrizi nuk mund t’i thotë jo SHIK-ut.

“Mitrovica ka nevojë për Agimin e vitit 2017, e jo për muzgun e vitit 2013-të. Të dashur pjesëmarrës, kur fiton Agimi fiton Mitrovica dhe popullsia; kur fiton Valdetja, fiton SHIK-u dhe Kadria. Vota për Agimin është votë e dyfishtë, sepse fiton Agimi dhe sepse nuk fitojnë ata që humbën para katër vjetëve. Agimi është këtu sot me juve dhe do të jetë gjithmonë pranë jush. Agimi i thotë po qytetarëve dhe Mitrovicës, kurse Valdetja nuk mund t’i thotë jo SHIK-ut dhe PDK-së. Agimi nuk frikësohet as nga strukturat paralele të Serbisë e as prej strukturave të SHIK-ut në Mitrovicë. Bahtiri nuk i lëshon pe as Rakiçit të Serbisë e as Rasimit të Kadrisë”, ka thënë Kurti, raporton kp.

Rregullimi i ujësjellësit në shkollën “Eqrem Çabej”, projekti “Mitrovica lexon”, vizitat sistematike mjekësore në shkollat fillore, sipas Kurtit, janë vetëm disa nga punët e mira që Vetëvendosje ka bërë gjatë një viti qeverisje së bashku me kryetarin e tashëm dhe kandidatin për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ndërsa Bahtiri në fjalën e tij theksoi se gjithmonë ka marrë vendime bashkë me qytetarët, përderisa shtoi se tashmë ka kaluar koha e SHIK-ut për qytetin e Mitrovicës.

Ai tha se qyteti i Mitrovicës para vitit 2013-të ka qenë i plaçkitur dhe nuk ka qenë e lehtë t’i heqin nga pushteti ata që e shkatërruan atë, përderisa theksoi se Mitrovica u çlirua në vitin 2013.

“Mitrovica nuk merret me dhunë. Mitrovica merret vetëm me duar të pastra, me duar të lira, me qytetarin, llogari për qytetarin, punë për qytetarin. Dhe kjo është Mitrovica sot, e kënaqshme, evropiane, e cila me të vërtetë do të jetë edhe në të ardhmen e fuqishme në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nuk do të lejojmë që të kthehen prapa kohërat e errëta të këtij vendi për arsye se populli ka përjetuar shumë rëndë. Kuptoni se Mitrovica është çliruar në 2013, jo në ’99”, tha ai.

Bahtiri tha se mitrovicasit janë ata që vendosin vet për qytetin e tyre, përderisa ftoj që të merret rruga e një referendumi gjithë popullor, që njëherë e përgjithmonë gjërat e errëta të mos kenë më vend në komunën e Mitrovicës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme