Zgjedhjet lokale

Haskuka i interesuar që Prizreni të vazhdojë traditën e artizanateve

Gjatë ditës së sotme, kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka vizituar disa ndërmarrje në Prizren.

I shoqëruar edhe nga deputeti Albin Kurti, në ndërmarrjen e kabllove elektrike, “Proton Cable”, Mytaher Haskuka, pasi dëgjoi problemet thelbësore të kësaj ndërmarrjeje, tha se një ndër pikat kryesore të zotimeve të tij është ajo për zhvillimin ekonomik të Prizrenit.

“Ne kemi paraparë një program për zhvillim dhe se në atë program do të bëhet bashkimi i kapitalit të diasporës të cilët do t’i bindim që ata të investojnë në prodhimtari”, tha ai

Më pas Mytaher Haskuka takoi edhe përfaqësuesit e ndërmarrjes prodhuese “Filigani” në Prizren. Ai tha se personalisht është shumë i interesuar që Prizreni, i njohur për shkak të artizanatave, ta vazhdojë këtë traditë të dhe që këto artizanate të eksportohen jo vetëm në vendin tonë dhe në vendet e rajonit, por edhe në vendet tjera të botës.

Haskuka vizitoi edhe kompaninë“Koshi”, e cila bën prodhimin e autopjesëve nga fibrat e karbonit. Në këtë kompani Mytaher Haskuka tha se nëpërmjet Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të hapen mundësi të reja punësimi, ndërsa zhvillimi në Prizren më në fund të fillojë të ecë me hapa të mbarë.

Në kuadër të këtyre vizitave, Mytaher Haskuka vizitoi edhe stafin drejtues të stacionit të autobusëve, i cili e njoftoi kandidatin Haskuka për problemet dhe brengat e kësaj kompanie.