Zgjedhjet lokale

Bahtiri: Mitrovica është çliruar më 2013 e jo më 1999, ka kaluar koha e SHIK-ut, haraçit e kontrabandës

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga koalicioni AKR-VV, Agim Bahtiri, gjatë tubimit përmbyllës të fushatës zgjedhore sot në Mitrovicë, ka ripërsëritur premtimet që do t’i realizojë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Ai tha se ka kaluar koha e SHIK-ut, haraçit, kontrabandës.

“Nuk do të ketë njeri apo grup që e frikëson kryetarin tuaj ose ta marrë Mitrovicën me dhunë. Mitrovica është çliruar më 2013 e jo më 1999”, ka thënë Bahtiri, përcjell ksp.

Ai ka ftuar qytetarët që të dalin të dielën masovikisht për të votuar më 19 nëntor për një qeverisje me duar të pastra.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se Mitrovica i ka dhënë shumë Kosovës në luftë e paqe, por ka përjetuar ndarje nga keqqeverisja.

“Andaj nuk duhet të mos lejojmë që tani të qeveriset nga ata që e ndanë. Mitrovica ka nevojë për Agimin. Kemi bërë punë të mira në bashkëqeverisje në të kaluarën, do të bëjmë punë edhe më të mira në të ardhmen”, tha Kurti.