Kusari Lila: Në vitin 2018 finalizohet projekti modern i QKMF-së së re

Kusari Lila: Në vitin 2018 finalizohet projekti modern i QKMF-së së re

16 nëntor 2017 15:08

Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ne vazhdën e aktiviteteve për ditën e sotme, ka takuar disa nga profesionistët shëndetësorë, me të cilët ka diskutuar objektivat e programit Plus4 për sektorin e shëndetësisë.

Fillimisht ajo ka përmendur disa nga të arriturat dhe investimet që janë bërë gjatë mandatit të parë, me theks të veçantë investimet në objektin aktual të QKMF-së, vendosjen dhe sigurimin e mamografit si dhe fillimin e ndërtimit të objektit të ri të QKMF-së.

“E rëndësishme për të gjithë ne sot dhe veçmas për profesionistët shëndetësorë është se fundi i vitit 2018 Gjakovën do e gjejë me objektin modern dhe bashkëkohor të Qendrës së re kryesore të Mjekësisë Familjare. Gjithashtu, në vitin 2018 QKMF-ja do të pajiset edhe me autoambulancën e re, që është e planifikuar në buxhetin komunal. Për të pasur zhvillim dhe progres jo vetëm në sektorin e shëndetësisë, por në të gjithë sektorët tjerë, na duhet të përcaktohemi qartë më 19 nëntor, kur me votën tonë do të dëshmojmë se e duam zhvillimin, punën dhe angazhimin për Gjakovën dhe njëherit si banorë të kësaj komune do të dëshmojmë se koha e grupacioneve politike, që i shërbejnë interesave të individëve, në Gjakovë ka përfunduar para katër vjetëve”, ka thënë në adresimin e saj kandidatja për kryetare të Gjakovës, Kusari Lila.

Nga ana tjetër, profesionistët shëndetësorë kanë shprehur mirënjohjen për gjithë angazhimin e saj për përmirësimin e kushteve të shërbimit si dhe sukseset e dëshmuara përmes projekteve kapitale që përfshijnë sektorin e shëndetësisë në Komunën e Gjakovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme