Zgjedhjet lokale

Ahmeti premton kryeqytet të pastër

Descriptive Text

Prishtinë të pastër, menaxhim më të mirë të mbeturinave, si dhe riciklim të mbeturinave ka premtuar për mandatin e ardhshëm kryetari aktual i kryeqytetit dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.

Ahmeti është zotuar se nga janari i vitit 2018 do të ketë reformë të plotë për menaxhimin e mbeturinave.

Sipas tij, nga janari i vitit të ardhshëm prishtinasit do t’i paguajnë faturat e mbeturinave në komunë dhe jo tek kompania “Pastrimi”, me të cilën komuna ka pasur probleme të natyrës politike.

“Prej janarit të vitit të ardhshëm komuna e Prishtinës do të filloj së zbatuari rregulloren e re të komunës që e kemi punuar tashmë një vit e gjysmë që e kemi punuar me GIZ-in gjerman, kjo rregullore parasheh që të kemi një reformë të plotë të mbledhjes së mbeturinave duke filluar nga janari ne synojmë që të fillojmë pagesat e mbeturinave në komunë dhe jo më tek kompania “Pastrimi”, është vërtetuar edhe në disa komuna tjera por e kemi tash edhe me ligjin e ri të mbeturinave që faturuat duhet të paguhen në komunë dhe kjo ka funksionuar tepër mirë në disa komuna ku është paguar përmes tatimit në pronë“, tha ai.

Sipas tij, pagesa e mbeturinave në komunë jep mundësi që të mbledhin më shumë fonde me të njëjtën tarifë për ekonomi familjare me vlerë prej 4 euro e 70 cent, dhe tarifa të strukturuara varësisht nga lloji i biznesit.

Ahmeti me qëllim të organizimit më të mirë të mbeturinave ka premtuar shtim të kontejnerëve, funksionalizimin e kontejnerëve nëntokësor, si dhe përfshirjen e të gjitha fshatrave e lagjeve në rrjetin e mbeturinave.

Pretendenti për të parin e Prishtinës u zotua se në mandatin e ardhshëm do të fillojë edhe procesi i riciklimit për një Prishtinë të pastër.

Ai tha se punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do u rrezikohen vendi i punës, pasi që kjo kompani do të paguhet për shërbimet ndaj komunës.

“Në katër vjetarin e ardhshëm Prishtina do të jetë e pastër, mbeturinat do të mblidhen me kohë, shpejt dhe në mënyrë efikase dhe po ashtu do të fillojmë edhe periudhën e riciklimit të mbeturinave nuk do të ketë më probleme politike dhe krejt në fund dua ta them edhe një gjë për punëtorët e pastrimit sepse dikush iu ka thënë se në momentin që ne e ndërrojmë nuk do të jenë më të nevojshëm, kjo është e pa vërtet dhe po bëhet për arsye politike, ne do ta shfrytëzojmë Pastrimin në maksimum për të mbledhur mbeturinat në qytet me pagesë me kontrata, por se ne vetëm do t’i mbledhim tash faturat, ndërsa Pastrimin do ta paguajmë për shërbimet të cilat neve na i ofron, nuk do të rrezikohet asnjë punëtor i Pastrimit”, tha ai.

Ahmeti për vitin 2018 tha se ka një plan projekt që në lagjen Dardani përmes kontejnerëve të rinj të riciklohet mbeturinat sipas natyrës që kanë.

Ndryshe, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti është në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar, Arban Abrashi.