Kurteshi synon trafik urban në Gjilan Foto: Ilustrim

Kurteshi synon trafik urban në Gjilan

16 nëntor 2017 14:32

Njëri ndër tri prioritetet kryesore të kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit Sami Kurteshi, është trafiku urban dhe transporti publik, për të cilin tha se do të lidh të gjitha fshatrat me qytetin e Gjilanit dhe do ta bëjë këtë qytet me trafik urban.

Kurteshi shtoi se kjo është e mundshme të bëhet me mjete vetanake.

“Lëvizja Vetëvendosje një ndër tri zotimet prioritare për zgjidhjen e tyre, përveç sanimit të ujërave të zeza dhe rivitalizimin e arsimit është edhe trafiku urban bashkë me transportin publik në komunën e Gjilanit. Këtu jemi në stacionin e autobusëve të Gjilanit që ka një moshë diku rreth 50 vjeçare dhe ju e shihni në çfarë gjendje është, pasi është degraduar relativisht shumë”, tha Kurteshi.

Ai ka treguar edhe koston e projektit për trafikun urban dhe lidhjen e të gjitha fshatrave me qytetin.

“VV ka vendosur që çështjen e trafikut urban dhe transportin publik ta zgjidh me një kompani publike që do të krijohet dhe me funksionalizimin e linjave të autobusëve që do të lidhen të gjitha fshatrat 95 për qind e fshatrave të lidhen me Gjilanin dhe me funksionimin e trafikut urban brenda qytetit. Kjo është e mundur dhe kemi bërë një kosto dhe për llogaritjet tona kjo është një kosto prej 4.5 deri në 5 milionë euro. Me blerjen e autobusëve të rinj ne kemi llogaritur për të gjitha linjat që mendojmë ti funksionalizojmë këto shtatë linja që lidhin 7 hyrje që lidhen me Gjilanin dhe këto shtatë linja do të pajisen me nga 3 autobus me të cilin do ta mundësojnë edhe trafikun urban në qytet”, theksoi Kurteshi.

Pretendenti për ta parin e Gjilanit tha se me funksionimin e trafikut urban kanë llogaritur që një numër të kategorive siç janë rastet sociale, pensionistet dhe fëmijët deri në 12 vjet do ta kenë pa pagesë.

Me krijimin e kësaj kompanie, Kurteshi shtoi se do të punësohen rreth 100 njerëz.

Kurteshi konfirmoi se Partia e Drejtësisë përmes një deklarate ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen e tij në garën e balotazhit. Po ashtu nëse ai fiton tha se do të marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për secilën lindje në Gjilan. Sipas tij, llogaritet se do të jenë rreth 140 mijë euro në vit qe mund të jepen.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme