Idrizi premton modernizimin e Mitrovicës me projekte rrugore

Idrizi premton modernizimin e Mitrovicës me projekte rrugore

16 nëntor 2017 13:18

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidaten për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, kanë prezantuar projekte të shumta infrastrukturore për mandatin qeverisës ‎2017-2021 në Mitrovicë.

Lideri i PDK-së ka thënë se Mitrovica meriton një qeverisje më serioze, sepse edhe problemet e mitrovicasve meritojnë trajtim serioz, jo si deri më tash.

Ai ka thënë se me qeverisjen e Valdete Idrizit, investimet kapitale në infrastrukturë do të shumëfishohen dhe rrugët e Mitrovicës do të modernizohen.

“Kryetarja Valdete Idrizi ka projekte të mëdha për Mitrovicën, që do ta transformojnë tërësisht qytetin dhe fshatrat e saj. Ajo e ka përkrahjen e plotë timen, të Partisë Demokratike dhe të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se në katër vjetët e ardhshëm, Mitrovica do të transformohet në një qytet modern, i zhvilluar dhe me perspektivë të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Në katër vjetët e ardhshëm do të përmbyllet e gjithë infrastruktura në qytet dhe fshatra. Do të ndriçohet secila rrugë në qytet dhe fshatra. Po ashtu, katër lumenjtë e Mitrovicës do të pastrohen tërësisht, sepse do ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemin e ujërave të zeza”, ka thënë Veseli.

Kurse, kandidatja e PDK-së për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka prezantuar disa prej projekteve kryesore infrastrukturore të saj.

“Ne do t’i rregullojmë hyrje-daljet në Mitrovicë. Këtë do ta realizojmë brenda gjashtë muajsh në vitin 2018 dhe kostoja e këtij projekti do të jetë 2 milionë euro”, ka thënë Idrizi.

Ajo e ka prezantuar edhe projektin infrastrukturor për zgjerimin e rrugës urbane, duke e bërë atë katërshiritore nga Mitrovica deri në Koshtovë.

“Kostoja e këtij projekti është 4 milionë euro dhe do ta realizojmë brenda gjashtë muajve në vitin 2019”, ka thënë ajo.

Kandidatja e PDK-së për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka prezantuar edhe projektin me të cilin ka thënë se do të rregullohet i tërë qarkullimi në Mitrovicë.

Ajo ka thënë se brenda tre muajve në vitin 2018 do t’i ndërtojnë udhëkryqet me sinjalizim ndriçues në tërë zonën urbane.

Kandidatja për të paren e Mitrovicës ka premtuar se në qeverisjen e saj do ta përmbyllë kapitullin e investimeve dhe do ta rregullojë e modernizojë infrastrukturën rrugore në qytetin dhe fshatrat e Mitrovicës.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme