Zgjedhjet lokale

PDK me aleatët mbyllin fushatën të bindur për fitoren e Totajt në Prizren

Partia Demokratike e Kosovës, së bashku me partnerët e koalicionit: AAK, KDTP, Vakat dhe RAE, mbrëmë përmbyllën fushatën zgjedhore me një tubim madhështor, përfaqësues dhe elitarë politikë, si e vetmja zgjedhje demokratike në Prizren, thuhet në një njoftim për media të kësaj partie.

Kryetari në ardhje i komunës së Prizrenit, i konfirmuar fitues i besimit politik nga qytetarët më 22 tetor, Shaqir Totaj, theksoi se ky partneritet i PDK-së me partitë e koalicionit, është alternativa e vetme serioze dhe përfaqësuese që u është ofruar qytetarëve në Prizren dhe si e tillë është garanci e bashkëqeverisjes me të gjitha etnitë qytetare që garantojnë pritjet e tyre nga autoriteti politik gjatë mandatit katërvjeçar në udhëheqje të kësaj komune.

Liderët e partive të koalicionit nga AAK, Lulzim Kabashi, KDTP - Mahir Jakcilar, Vakat - Rasim Demiri, dhe nga Partia Rome, Albert Kinolli, vlerësuan lart kryetarin Shaqir Totaj, dhe siguruan se anëtarësia e tyre votuese do të përkrahë masivisht më 19 nëntor PDK-në dhe kandidatin Totaj duke votuar numrin 94.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli theksoi se bashkë me partnerët e PDK-së, Shaqir Totaj po ec sigurt drejt rikonfirmimit të fitores më 19 nëntor. Ai tha se Prizreni gjithmonë dhe në çdo kohë i ka bashkuar njerëzit. Por, nga e diela e tutje, të mëdhenj e të vegjël, gra e burra, studentë e punëtorë, fermerë e arsimtarë, pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, të bashkuar do t’i mbajë Shaqir Totaj, kryetari i Prizrenit, thuhet në njoftimin e Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Prizren.