Ilazi vs Kodra

Ilazi vs Kodra

16 nëntor 2017 12:05

Kaçanik, 16 nëntor – Më 19 nëntor edhe qytetarët e Kaçanikut do të dalin në zgjedhje lokale për ta zgjedhur kryetarin e Komunës derisa në këtë balotazh garojnë Besim Ilazi kandidat nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar aktual i Kaçanikut, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit ka marrë gjithsej 6 mijë e 582 vota apo 40.37 për qind të elektoratit.

Ndërkaq kundërkandidat i tij është Basri Kodra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili në raundin e parë ka marrë gjithsej 3 mijë e 439 vota apo 21.09 për qind.

Të dy kandidatët për kryetar të Kaçanikut deri tashti nuk kanë arritur ndonjë koalicion me subjektet e tjera me bindje se mund të punojnë me elektoratin e subjekteve opozitare pa e nënshkruar ndonjë marrëveshje zyrtare.

Besim Ilazi, kandidat nga radhët e PDK-së, ka thënë se Korniza afatmesme buxhetore 2018-2020 e Komunës dhe prioritetet bazë të saj, janë të mbështetura në burimet reale të financimit apo përcaktimit të kufijve të buxhetit përmes qarkoreve buxhetore komunale. Si prioritet i tij është strategjia zhvillimore e Kaçanikut 2017-2019, pastaj plani Zhvillimor i Komunës së Kaçanikut dhe Plani Zhvillimor Urban. Ilazi është i vetëdijshëm edhe për kapacitetet zhvillimore dhe resurset në dispozicion të cilat i ka kjo komunë, ndaj zotohet se mbetet i përkushtuar që planin zhvillimor 2017-2019 ta implementojë duke adresuar potencialin e saj zhvillimor, pavarësisht burimeve të kufizuara financiare.

Sipas tij, gjatë viteve në vazhdim do të jetë i përkushtuar që resurset e brendshme t’i drejtojë nga tejkalimi i vështirësive të identifikuara, me synim që të krijohet klimë e favorshme për investime në projekte që përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve, pastaj një klimë të përgjithshme ekonomike etj. “Për të arritur përparim të qëndrueshëm për qytetarët e Komunës sonë dhe për të vendosur bazat partnerizuese e një ambienti miqësor ekonomik dhe investues është e domosdoshme vënia në dispozicion e resurseve njerëzore dhe infrastrukturore të komunës, prandaj është përpiluar edhe plani strategjik për zhvillimin lokal, i cili përveç në praktikën tonë të brendshme, është i bazuar edhe në praktika të dëshmuara në vende të ndryshme dhe që hapin e parë e nis me një bashkëpunim gjithëpërfshirës të aktorëve ekonomiko- socialë të Komunës”, ka thënë Ilazi.

Sipas tij, për Platformën e zhvillimit ekonomik lokal, është hartuar plani i veprimit për realizimin e objektivave, sipas prioriteteve, masave, përgjegjësve, aktiviteteve dhe treguesve të realizimit. Ky plan veprimi është në harmoni me orientimin themelor të Platformës, synimet strategjike dhe ndërhyrjet potenciale të saj.”Gjatë mandatit të ardhshëm për 4 vjet Kaçaniku do të ketë rritje në zhvillim ekonomik apo forcim të ekonomisë lokale, pastaj zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza nëpërmjet ndërtimit të kolektorëve, zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet subvencionimit të fermerëve, zhvillimin e arsimit, shëndetësinë, infrastrukturën etj”, ka thënë Ilazi.

Ndërkaq kundërkandidati i tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Basri Kodra, ka thënë se qeverisja lokale e kësaj komune gjatë mandatit të fundit ka keqmenaxhuar paranë publike derisa punimet në infrastrukturë rrugore, kanalizime etj, janë punuar me cilësi të dobët. Ai ka sqaruar se në mandatin e tij katërvjeçar do të shënojnë ngritje të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, pastaj përmirësimin rrënjësor dhe riorganizimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, funksionim cilësor i laboratorëve të analizave dhe sigurimi i mbulueshmërisë së shërbimit në të gjithë territorin e Komunës.

“Qeverisja aktuale e Kaçanikut ka dështuar në një varg projektesh kapitale si në asfaltim të rrugëve, në kanalizime, në projekte shkollore etj. Deri tashti në institucionet e Kaçanikut janë punësuar familjarë e militantë të subjektit politik të PDK-së, duke i anashkaluar profesionistët me drejtime adekuate. Prandaj me qeverisjen e VV-së si pikë kryesore do të jetë depolitizimi i institucioneve arsimore, funksionalizimi i këshillave të prindërve e të shkollave dhe këshillave drejtuese të shkollave, përzgjedhja e drejtorëve me pjesëmarrje në komunitet etj”, ka thënë Kodra. Ai ka shtuar se do të merren edhe me rritjen e zhvillimit ekonomik duke promovuar turizmin mjedisor dhe turizmin kulturor me panaire e festivale. Ndërkaq rëndësi të veçantë do t’i kushtojnë bujqësisë në fushat e perimtarisë, serra, pylltarisë, blegtorisë, bagëtisë dhe bletarisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme