Zgjedhjet lokale

Muhaxheri thotë se ka koalicion mes PDK-së dhe VV-së për Prishtinë e Ferizaj

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka pohuar se ka një koalicion jo zyrtar mes PDK-së dhe Vetëvendosjes për ta përkrahur njëra-tjetrën në balotazhin për Prishtinë dhe Ferizaj.

Muhaxheri ka kërkuar një sqarim nga Besnik Bislimi i Vetëvendosjes, i cili ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e anëtarit të LDK-së, derisa PDK-ja ende nuk ka vendosur se kë do ta përkrah të dielën në garën për Prishtinën.

Prishja e raporteve mes LDK-së e PDK-së në nivel qendror reflekton edhe në zgjedhjet komunale. Përfaqësuesi i PDK-së, Abelard Tahiri në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk kanë marrë një vendim se kë do ta përkrahin të dielën.

“Këto dy ditë do ta kemi të qartë se ke e përkrahim dhe vota jonë do ta përcakton fituesin në Prishtinë”, ka thënë ai. Tahiri e Bislimi u ndeshën për numrin e votave dhe trendin e rritjes së PDK-së.