Zgjedhjet lokale

Totaj vs Haskuka në Prizren

Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Prizrenit, që mbahen më 19 nëntor, për herë të parë do të përballet një kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës me një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje.

Qytetarët e Komunës së Prizrenit, të dielën, do të kenë mundësi të votojnë për Shaqir Totajn e PDK-së ose për Mytaher Haskukën e LVV-së. Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Totaj ka marrë 19 mijë e 869 vota apo 29,75 për qind, derisa Haskuka ka marrë 14 mijë e 967 vota apo 22,41 për qind, shkruan sot “Koha Ditore”.

Deri në momentin e raportimit PDK-ja ka arritur që të nënshkruajë marrëveshje për mbështetjen e kandidaturës së Totajt me Degën e AAK-së, KDTP-në dhe koalicionin “Vakat”. Mirëpo Totaj ka theksuar se ai tashmë ka lidhur koalicion me qytetarët e Komunës së Prizrenit.

“Koalicionin për Prizrenin ne e kemi lidhur me qytetarët dhe jemi garant të realizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës”, ka thënë ai për gazetën. Ndërsa Haskuka i LVV-së në një prononcim për gazetën ka vlerësuar se në raundin e parë “mbi dy të tretat e qytetarëve kanë votuar për ndryshim dhe kundër vazhdimit të qeverisjes së keqe në Prizren”.

Pas përfundimit të raundit të parë zgjedhor ai u kishte bërë thirrje të gjitha subjekteve politike në Prizren që ta mbështesin ndryshimin në qeverisjen e Prizrenit. Mirëpo deri më tani LVV-ja ka arritur që të nënshkruajë marrëveshje koalicioni me Degën e NISMA-s në Prizren, derisa edhe pse jo në formë zyrtare Haskuka do ta ketë edhe mbështetjen e LDK-së, duke qenë se kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Hatim Baxhaku, ka kërkuar nga qytetarët që të votojnë për ndryshimin në Prizren.

Pavarësisht nga kjo, Totaj në paraqitjet e deritanishme ka konsideruar se Haskuka nuk është personi i duhur për udhëheqjen e Prizrenit, meqë për nga “profili profesional nuk u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të postit të kryetarit të komunës”. Kandidati i PDK-së ka akuzuar rivalin e tij politik se nuk është i familjarizuar me problemet e Prizrenit, pasi që nuk jeton në këtë komunë dhe se për një kohë të gjatë nuk ka jetuar as në Kosovë. Në të njëjtën kohë, Totaj pati shprehur qëndrimin se kryetari i Prizrenit duhet të ketë nivel të rrjedhshëm të gjuhës shqipe.

Mirëpo komentet e Totajt në këtë drejtim janë bërë shkas që Qendra e LVV-së në Prizren muajin e kaluar të paraqesë një kallëzim penal kundër kandidatit të PDK-së për shkak të dyshimit se ai ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar e etnik. Në të njëjtën kohë qe paralajmëruar edhe padia për shkak të shpifjeve dhe fyerjeve ndaj kandidatit të LVV-së. Ndërkohë, rishtazi Haskuka ka akuzuar kundërkandidatin e tij për shoqërim me eksponentët e Degës së PDK-së, që, sipas tij, janë përgjegjës për degradimin e pushtetit lokal në Prizren.

“Kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, s’ka qenë i sinqertë gjatë fushatës, ku në paraqitjet publike para kamerave ka thënë se është i ri në PDK dhe se nuk paraqet vazhdimësinë e keqqeverisjes në Prizren, pra është distancuar nga eksponentët e PDK-së, por që gjatë tërë fushatës ka qenë me njerëzit që kanë keqqeverisur me Prizrenin në 10 vjetët e kaluar”, ka thënë Haskuka, duke shtuar se ndryshimi nuk bëhet me njerëz të inkriminuar.

Në anën tjetër Totaj ka thënë se ka një plan 17 pikësh me 55 zotime për qeverisje në Komunën e Prizrenit, derisa Haskuka ka bërë të ditur se programi i tij qeverisës përbëhet nga 43 zotime.

Kandidati i PDK-së si pikë të parë ka vendosur zhvillimin ekonomik, duke planifikuar krijimin e një fondi prej 2 milionë eurosh për përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, me përparësi për ndërmarrësit me ide të reja nga komuniteti i të rinjve dhe grave. Prioriteti i dytë i tij është funksionalizimi i Qendrës së Bizneseve dhe pason organizimi i konferencës për investitorët në Prizren. Totaj është zotuar edhe për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, pastaj rritjen e cilësisë në arsim, rivitalizimin e Qendrës Historike të Prizrenit në bashkëpunim me MKRS-në, promovimin e turizmit kulturor e rural dhe mbështetjen për aktivitetet kulturore. Sipas tij, do të rishikohet edhe transporti urban, pastaj ka premtuar ndërtimin e parkingjeve dhe shtigjeve për çiklistë. Është zotuar për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe rinore.

Për dallim prej tij, Haskuka ka bërë të ditur se 43 zotimet e tij mundësojnë arritjen e 4 qëllimeve për një Prizren të zhvilluar, i cili është i qasshëm për të gjithë, ku ka arsim dhe shëndetësi kualitative dhe ku ka një administratë efikase. Haskuka ka shpjeguar se qëllimi kryesor i këtyre zotimeve është Prizreni me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që bazohet në katër përparësitë e Prizrenit, të cilat janë turizmi, bujqësia, tregtia dhe zejtaria. Aspekti i dytë i programit të tij qeverisës ka thënë se është përmirësimi i gjendjes në arsim dhe shëndetësi, derisa qëllimi i tretë është krijimi i Prizrenit të qasshëm për të gjithë. E synimi i katërt i programit të Haskukës është një administratë transparente dhe me shërbime publike efikase.