Veseli premton zhvendosjen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Rahovec

Veseli premton zhvendosjen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Rahovec

14 nëntor 2017 18:02

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Rahovec, ka thënë se kjo komunë është simbol i vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës për fuqizimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Rahoveci është dëshmi e gjallë se aty ku qeverisë Partia Demokratike e Kosovës, aty ndodhë ndryshimi, ndodhë zhvillimi, ndodhë perspektiva për të rinjtë dhe punëtorët, për fermerët dhe prodhuesit”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se do të vazhdojnë me Idriz Vehapin kryetar që t’i mbështesin prodhuesit e Rahovecit edhe më fuqishëm.

“Ju japë fjalën, se bashkë me Idriz Vehapin, asnjë fermer, asnjë vreshtar i Rahovecit nuk do të mbetet pa grante e subvencione. Asnjë prodhues i Rahovecit nuk do të mbetet jashtë sistemit të ujitjes, të cilin do ta zgjerojmë për të përfshirë gjithë tokën e punueshme të Rahovecit. Vizioni i Idriz Vehapit dhe Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë: komuna në shërbim të njerëzve që punojnë e prodhojnë. Pa burokraci, pa vonesa, pa barriera”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka premtuar se së shpejti do të merret vendimi i madh për Rahovecin dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila menaxhon me grantet dhe subvencionet në bujqësi, nga Prishtina do të zhvendoset në Rahovec.

“Pse ky vendim do të thotë dikush? Po, sepse institucionet duhet të jenë aty ku punojnë njerëzit. S’ka më burokraci e largësi nga nevojat e qytetarëve. S’ka më justifikime për mosveprim. Rahoveci e meriton këtë dhe ne, siç e mbajtëm fjalën për Prizrenin, do ta mbajmë fjalën edhe për Rahovecin. Ne e mbajmë fjalën, sepse ne jemi Partia Demokratike e Kosovës. Ne jemi Forca e Ndryshimit të Kosovës”, ka thënë ai.

Veseli ka kërkuar prej rahovecianëve që të dalin masivikisht dhe të votojnë më 19 nëntor për Idriz Vehapin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme