Zgjedhjet lokale

Sfarqa VS Aliu në Ferizaj

Qytetarët e Komunës së Ferizajt më 19 nëntor do të votojnë edhe një herë për ta zgjedhur kryetarin e komunës derisa në këtë balotazh garojnë Agim Aliu nga radhët e PDK-së, i cili në rundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit ka marrë gjithsej 19 mijë e 961 vota apo 39.16 për qind të elektoratit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkaq Muharrem Svarqa, kandidat nga radhët e LDK-së, njëherësh kryetar aktual i Komunës së Ferizajt, në rundin e parë ka marrë gjithsej 15 mijë e 975 vota apo 31. 34 për qind të elektoratit.

Këta dy rivalë po përballen edhe një herë, sikurse më 2013, kur njësoj nga avantazhi i Aliut në rundin e parë, Sfarqa ka arritur ta përmbysë rezultatin në balotazh.

Kryetari Sfarqa deri tashti ka lidhur vetëm një koalicion me AKR-në, i cili është kundërshtuar nga ish-kandidati i këtij subjekti Amir Rexhepi. Por, me një kumtesë për media ky subjekt ka bërë të ditur se vendimi për koalicion është marrë nga partia e jo nga individë.

Svarqa gjatë fushatës së tij ka përmendur disa projekte që janë realizuar gjatë qeverisjes së tij. Ka thënë se është zë i arsyer në krahasim me PDK-në, e cila sipas tij ka keqqeverisur në gjithë Kosovën.

“Po na gëzon mundësia që të jemi zëri i arsyes dhe të jemi bashkë me AKR-në kundër PDK-së, e cila është e njohur jo vetëm në Komunën e Ferizajt, por edhe në tërë Kosovën për keqqeverisje”, ka thënë Svarqa. Ai ka akuzuar Aliun edhe për dështim në zgjidhjen e halleve të qytetarëve gjatë qeverisjes së tij në Ferizaj, ndërkaq ka sqaruar se gjatë periudhës së fundit me qeverisjen e LDK-së ka investuar në shumë projekte.

“Me të marrë pushtetin në vitin 2013 kemi pasur 7 mijë biznese në Ferizaj, ndërkaq sot i kemi rreth 12 mijë biznese që tregon për një rritje të jashtëzakonshme, ndaj as optimistët më të mëdhenj nuk do ta kishin pritur këtë. Përveç kësaj, kemi shënuar rritje edhe në përmbushjen e obligimeve ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës nëpërmjet taksave dhe doganave nga afaristët e fuqishëm të Komunës së Ferizajt”, ka thënë Sfarqa.

Sipas tij, në fund të vitit 2013 nga taksat e bizneseve të Ferizajt në arkën e shtetit të Kosovës janë derdhur 110 milionë, ndërkaq në vitin 2016 arka e shtetit është mbushur me 360 milionë eurosh që, sipas Sfarqës, kjo tregon një rritje të jashtëzakonshme me mbi 3 herë më shumë sesa gjatë kohës derisa ishte duke qeverisur PDK-ja.

“Bizneset edhe në të ardhmen do t’i stimulojmë duke krijuar klimë të favorshme, pastaj duke krijuar zona ekonomike, zona industriale, dhënien e pronave komunale për zhvillim ekonomik, siç kemi punuar gjatë këtij mandati duke i quajtur komplekse për zhvillim ekonomik. Po ashtu do të punojmë edhe me institucione ndërkombëtare siç ka qenë rasti i bashkëpunimit me USAID-in amerikan, me GIZ-in gjerman dhe me Caritasin e Luksemburgut për përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, por po ashtu do të punojmë edhe në të ardhmen për subvencionimin e kamatave për agrobiznese dhe për bujqësi”, ka thënë Svarqa.

Gjithashtu Svarqa ka ofruar edhe zgjidhjen e problemeve jetike për banorët e Ferizajt dhe ato projekte strategjike të munguara deri më tashti, siç janë: mungesa e hapësirave për varreza, mungesa e ndërtimit të një spitali rajonal, mungesa e rehabilitimit të hekurudhës në qytet etj.

Ndërkaq kundërkandidati i tij nga radhët e PDK-së, Agim Aliu, gjatë periudhës së fundit kohore vazhdimisht e ka akuzuar kryetarin e Komunës, Muharrem Sfarqa, për keqqeverisje dhe keqmenaxhim të parasë publike.

Aliu deri tashti nuk ka nënshkruar ndonjë koalicion me subjektet e tjerat me bindje se elektorati i tyre do ta përkrahë në balotazhin e 19 nëntorit. Ai ka thënë se për katër vjet do të jetë zëri i qytetarëve sepse qytetarët i besojnë PDK-së duke i dhënë forcë e mbështetje. Sipas tij, nga qeverisja aktuale e Ferizajt premtimet nuk janë mbajtur për një varg projektesh, si ndërtimi i spitalit, rehabilitimi i hekurudhës, rritja e mirëqenies së qytetarëve etj.

“Unë zotohem se e di se si duhet qeverisur, sepse e kam mbështetjen edhe nga Qeveria e Kosovës. Do ta ndërtojmë spitalin rajonal, sepse qytetarët e meritojnë një trajtim më të mirë shëndetësor, andaj të gjithë tashmë i kanë të njohura projektet tona për bashkimin e qytetit, do ta rehabilitojmë hekurudhën e cila kalon në mes të qytetit, ndaj zotohem se duke e respektuar planifikimin urban qyteti do të marrë një pamje shumë të mirë”, ka thënë Aliu. Ai ka sqaruar se prioritet do ta ketë zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Sipas tij, ky synim do të realizohet duke krijuar fondin e punësimit, nëpërmjet implementimit të dy projekteve zhvillimore, subvencionimi i bizneseve me mjete monetare, si dhe subvencionimi i kamatave, duke mundësuar punësimin e rreth 5250 personave për katër vjet të qeverisjes. Ai gjithashtu është zotuar se për katër vjet të qeverisjes së tij do ta kompletojë infrastrukturën në arsim, shëndetësi, sport e kulturë, pastaj do ta bëjë digjitalizimin e shërbimeve të administratës komunale, mbyllja e gjithë ciklit të infrastrukturës bazike rrugore, fuqizimi i mekanizmave për kujdesin social, rritja e përkrahjes me bursa për studentët, siguria dhe pastërtia në shkolla, mirëplanifikimi urban i komunës.

“Në qeverisjen e ardhshme synojnë fuqizimin e rolit të KK-së derisa Legjislativi është pjesë e ballafaqimit të ideve dhe është vullneti i cili shpërfaq interesin e gjithë qytetarëve të Komunës së Ferizajt, andaj KK-ja do ta marrë tempullin e demokracisë ashtu siç i takon duke qenë i lirë në vendimmarrjen e tyre që kanë të bëjnë me interesin qytetar”, ka thënë Aliu. Ai ka sqaruar se nëpërmjet një fondi të punësimit do të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë, prandaj zotohet se të gjithë do të jenë të barabartë para çdo konkursi të cilin do ta ofrojnë institucionet publike.

“Kam udhëtuar dhe do të udhëtoj bashkë me qytetarët dhe rininë, prandaj vendimmarrja ime do të jetë në harmoni të plotë me agjendën qytetare, me agjendën për të rinj e të reja”, ka thënë ai.