LDK: Abrashi pret konfirmimet për debate nga Ahmeti

LDK: Abrashi pret konfirmimet për debate nga Ahmeti

08 nëntor 2017 21:20

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, i ka bërë thirrje kandidatit të, siç thotë LDK, Vetëvendosjes dhe AKR-së, Shpend Ahmeti që t’i konfirmojë pesë debatet e drejtpërdrejta që do të zhvillohen gjatë fushatës zgjedhore në pesë televizione, Jeta në Kosovë, KTV, RTK, RTV21, Klan Kosova dhe incizime në televizione të tjera.

“Shpend Ahmeti së bashku me një televizion lokal, pronar i së cilit është një oligark, respektivisht ish shefi i Dardan Sejdiut, të afërt me Vetëvendosjen, kanë sajuar sonte gjoja një debat ndërmjet kandidatëve për kryetar të Prishtinës, me qëllim të dëmtimit të imazhit të Abrashit, duke e ditur fare mirë se Abrashi kishte rezervuar termine në tri televizione tjera. LDK ju bën thirrje televizioneve lokale që të mos shkelin rregullat e informimit të drejtë dhe objektiv, dhe të shmangin rastet e kurdisjes së informatave të rrejshme dhe propagandës, të cilat Vetëvendosje i ka fah profesional”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK thotë më tej se siç e kanë parë edhe gjithë qytetarët e Prishtinës, Abrashi sonte ka qenë dhe do të jetë në tri emisione, Klan Kosova, në Interaktiv- KTV dhe në Gazeta Express, ku do të shpalosë programin e fitores në Prishtinë.

“Shpend Ahmeti është kandidati i parë që ka refuzuar debatin me Abrashin në RTK, ndërsa ka disa ditë që Ahmeti nuk po bashkëpunon për caktimin e terminëve për debatet 555, pesë ditë fushatë, pesë debate të drejtpërdrejta, në pesë televizione. Lajmet e kurdisura, propaganda, koalicionet e biznesit, po vijnë pas sondazheve që ka marrë Ahmeti, të cilat e renditin shumë prapa Abrashit në garën për Prishtinën”, ka thënë më tej LDK.

Kjo parti thotë se “besimi i qytetarëve të Prishtinës nuk blihet me koalicione të biznesit në dëm të interesave të qytetarëve dhe as me propaganda të rrejshme gjoja për ikje nga debatet”.

“Ahmeti po provon që me propagandë t’i ikë llogaridhënies para qytetarëve të Prishtinë, pasi që nuk ka realizuar asnjë projekt domethënës për katër vjet, asnjë shkollë, asnjë çerdhe, asnjë qendër të mjekësisë familjare, përveç punësimit të 500 militantëve të Vetëvendosje, të cilët ishin edhe organizatorë të shkatërrimit të qytetit. Deri të hënën Abrashi po merret me prezantimin e programit të fitores për Prishtinën metropol, ndërsa për pesë ditë do të faktojë në debate demagogjinë e Ahmetit, nëse ai nuk ju ikë debateve, sikur në rastin e RTK-së”, ka përfunduar LDK reagimin e saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Liki09/11/2017 10:27

Ec bre Shko ne rrs

Shto koment

Të ngjashme