AKR-ja mbështet VV-në në Prishtinë, VV-ja AKR-në në Mitrovicë e AAK-ja PDK-në

08 nëntor 2017 19:22

Një marrëveshje partiake por në objekt të Komunës së Prishtinës është nënshkruar ndërmjet Vetëvendosjes dhe Aleancës Kosova e Re. 11 ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, këto dy parti janë bashkuar në garën për kryeqytetin.

Pasi lavdëroi fushatën e Selim Pacollit në rundin e parë, Shpend Ahmeti ka thënë se me ish-konkurrentin e tij ka harmonizuar programet. Ahmeti u shpreh i bindur se në mandatin e ri do ta kenë shumicën edhe në Kuvendin Komunal, raporton KTV.

Programi, sipas Selim Pacollit, ka qenë arsye pse ai zgjodhi bashkëpunimin me Shpend Ahmetin, para Arban Abrashit. Ata u shprehën të hapur edhe për koalicione me parti tjera, por thanë se ato do t’i diskutojnë se bashku.

Nga afër, zyrtarizimin e marrëveshjes në Prishtinë e përcolli kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili më 19 nëntor, në balotazh, do të garojë kundër Valdete Idrizit të PDK-së.

E në orët e pasdites, Bahtiri zyrtarizoi koalicionin mes AKR-së e Vetëvendosjes.

Në të njëjtën ditë, rivalja e Bahtirit në Mitrovicë, Valdete Idrizi, nënshkroi marrëveshjen e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme