Krasniqi: Do ta përmbysim rezultatin në Obiliq

Krasniqi: Do ta përmbysim rezultatin në Obiliq

07 nëntor 2017 12:36

Kandidati i LDK-së për kryetar të Obiliqit, Mehmet Krasniqi beson se do të fitojë në raundin e dytë fal programit të tij dhe përkrahjes së qytetarëve dhe subjekteve që nuk janë në balotazh.

Krasniqi duke qenë i sigurt në fitoren e tij thotë se programi i tij qeverisës do t'ia kthejë Obiliqit normalitetin e munguar gjatë katër viteve të kaluara.

“Jam shumë i sigurt që kam me pas mbështetje të fuqishme të qytetarëve dhe ka me ndodh përmbysja e rezultatit në Obiliq, ka me ndodh fitorja jonë, ka me ndodh ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2009 kur edhe në rrethana të një diference më të theksuar që kemi pasur në balotazh kemi arritur me përmbys rezultatin dhe kemi fitu, jo pse këtë e dëshirojmë ne, por sepse jemi të bindur që interesi qytetar është me ndodh një gjë e tillë se programi jonë qeverisës është program që e garanton zhvillimin ekonomik të komunës sonë,e garanton përfundimin e procesit të ndërtimit të infrastrukturës në tërësi, e garanton mirëqenien e qytetarëve tanë, e garanton punësimin e qindra njerëzve në këtë mandat, thjeshtë garanton një zhvillim normal dhe një kthim të normalitetit të munguar gjatë këtyre katër viteve të kësaj qeverisje në komunën tonë", tha ai.

Në një intervistë për KosovaPressin Krasniqi tha se në balotazh futen me mundësi të mëdha për fitore duke u bazuar edhe në elektoratin e partive që nuk janë në këtë garë.

Sipas Krasniqit qytetarët janë vetëdijesuar dhe nuk do e votojnë edhe për një mandat një kryetar i cili i ka mashtruar me projekte që nuk janë realizuar siç është premtimi për krijimin e rreth 3 mijë vende të punës.

Ndërsa meritat për Ligjin e Obiliqit ia hedh qeverisjes së kaluar të udhëhequr nga LDK, dhe subjekteve të tjera politike në nivel lokal.

"Ligji për Obiliqin nuk është fare produkt i tij apo meritë e tij për me qenë korrekt ligji për Obiliqin është produkt në radhë të parë në nivelin lokal të gjitha subjekteve politike, përfshirë edhe subjektin tonë që është më i madhi në komunë, i kanë dhënë një mbështetje të fuqishme prej fillimit dhe e dyta është niveli qendror që e ka aprovuar sepse tek e fundit ligjet i aprovon Kuvendi i Kosovës, nuk është komuna e Obiliqit që e ka aprovuar ligjin, por është Kuvendi i Kosovës dhe këtu roli i LDK-së është mbase vendimtar se ka qenë shumë aktiv në të gjitha fazat e ecjes së ligjit në procedurat në Kuvendin e Kosovës për me rezultuar në fund me një vulosje me një votim unanim që ka qenë mbi 30 deputet dhe nëse duhet kërkuar këtu mëritë është meritë e pa diskutueshëm e grupit parlamentar të LDK-së qeverisë Isa Mustafa", tha Krasniqi.

E për balotazhin e 19 nëntorit, Krasniqi thotë se nuk është zyrtarizuar ndonjë koalicion, por që mbështetjen e katër taborëve politike që nuk janë në garë zotohet që e ka.

"Them të drejtën po jam shumë aktiv në këto çështje, janë katër subjekte politike që nuk kanë arrit me hy në balotazh dy nga to janë subjekte shumë të mëdha Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja në këtë drejtim nuk kemi arritur të kemi akoma ndonjë koalicion zyrtar, vështirësitë nuk dalin të nivelin tonë, të nivelit lokal por sigurisht secili subjekt i ka ato planifikimet e veta duke që niveli qendror këto dy parti i kanë disa vështirësi ku di unë ma shumë të natyrës procedurale por edhe në konstalacione me garat që ndodhin në komunat tjera që unë i kuptoj por ajo çka është më e rëndësishme është fakti që të katërta këto subjekte, njerëzit e tyre, bartës të përgjegjësive për brenda tyre e kanë apriori një simpati dhe mbështetje për neve për programin tonë dhe për mua si kandidat dhe unë jam shumë i sigurt që elektorati i këtyre partive ka me qenë në mbështetjen tonë pa diskutim hiq, kjo ka me kanë krejtësisht e sigurt", tha Krasniqi.

Ai synon të bëjë koalicion me këto parti sepse projekti i tij qeverisës ka nevojë që të ketë edhe ekspert me prirje të ndryshme politike me qëllim që të jenë më afër interesit të qytetarëve.

Prioritet kryesore për bashkëqytetarët e tij ka vendosur rritjen e mirëqenies, zhvillimin ekonomik duke përfshirë edhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Ndërsa, banorëve të Obiliqit iu ka garantuar vende punë në KEK dhe termocentralin e ri i cili pritet të filloj ndërtimin së shpejti.

"Unë iu garantoj qytetarëve të komunës sime se pjesa dërrmuese e këtyre të punësuarve ka me qenë nga komuna jonë, kemi më qenë të pa kompromis në mbrojtje të këtij interesi dhe jam i bindur që kemi më hasur në mirëkuptim të plotë nga kompania që me sa kam njohuri është amerikane. Banorët janë të kënaqur me investimin atëherë kur ata e gjejnë interesin e vetë dhe interesi i tyre është në radhë të parë punësimi, unë këtu nuk kam me lëshuar pe hiq, s’munden me pas qasje jashtë interesit tonë njerëzit nga komunat tjera dhe të njëjtë gjë kemi me bërë edhe në KEK-un. Ka mbaruar koha kur ne kemi qenë vetëm vrojtues të tjerët e kanë shfrytëzuar KEK-un për punësime dhe termocentralin ndërkaq tash po vjen periudha kur kanë më pas rol vendimtar të punësuarit e komunës sonë edhe në KEK edhe në termocentralin e ri unë këtë e garantoj para qytetarëve të mijë", tha ai.

Për të rregulluar infrastrukturën në tërësi, ai ka një plan me një kosto prej 2 milionë eurosh që lidhet me ndërtimin e një stacion hekurudhor mbi hekurudhë i cili do e lidh Obiliqin perëndimor me qendrën dhe Prishtinën.

"Një projekt i vlerës 2 milionë euro që ka me ndikuar jashtëzakonisht shumë në rrjedhën e gjithëmbarshme ekonomike të komunës sonë që është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm që lidhet me ndërtimin e një stacion të madh hekurudhor mbi hekurudhë i cili ka me lidh pjesën perëndimore të komunës sonë me pjesën këndej hekurudhës edhe të qytetit të komunës edhe të Kosovës sepse ka qasje drejtpërdrejtë në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë", tha Krasniqi.

Sipas tij ky projekt do e liroj nga qarkullimi madh i veturave dhe njerëzve qendrën e qytetit si dhe do jetë mundësi e madhe edhe për zhvillimin e afarizmit në Obiliq.

Në planin e tij strategjik ka paraparë edhe ndërtimin e një unazë të jashtme të qytetit e cila synim kryesor ka që të bëjë funksionale një vijë qarkulluese në kohën kur pritet të fillojnë punimet në ndërtimin e termocentralit të ri.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Obiliqit, Mehmet Krasniqi në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit ka marrë 3,344 vota e që në përqindje i bie 27.13 për qind ndërsa nga kundërkandidati i tij, Xhafer Gashi e ndajnë rreth 2661 vota.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme