Përgatitja e Hartës zonale të Gjilanit, brenda 24 muajve

Përgatitja e Hartës zonale të Gjilanit, brenda 24 muajve

07 nëntor 2017 08:55

Pavarësisht se kush do të dalë fituese në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, në Gjilan, LDK-ja apo Lëvizja Vetëvendosje, njëra prej këtyre partive e cila merr pushtetin duhet që brenda periudhës 2-vjeçare të përgatisë Hartën zonale të Komunës, e cila para finalizimit duhet të vihet edhe në konsultim publik me qytetarët.

Vendimi për hartimin e Hartës zonale të Komunës është marrë nga Kuvendi Komunal i Gjilanit. Ndërsa në Zonën kadastrale janë të përfshira 42 vendbanime të Komunës së Gjilanit, të cilat pritet të trajtohen në këtë proces, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndryshe, Harta zonale e Komunës është një dokument që përmes grafikoneve, fotografive dhe tekstit përcaktohen lloji, destinimi, shfrytëzimi i hapësirës dhe masat e veprimit, të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksionet që kanë të bëjnë me investimet publike dhe private në tërë territorin e Gjilanit, i cili dokument pasi të hartohet vlen për një periudhë 8-vjeçare. Dhe implementimi i dokumentit është pjesë edhe e Ligjit i planifikimit hapësinor. Për të vënë kontroll mbi fushën e ndërtimeve dhe planifikimit hapësinor qeverisjes komunale të ardhshme do t’i duhej që të rikthente Drejtorinë e Inspektoratit të cilën e kishte shpërndarë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili po ashtu gjatë fushatës elektorale në raundin e parë është zotuar se me ardhjen e tij në pushtet do të rikthejë drejtorinë në gjendjen e mëparshme.

Mirëpo Fehmi Sylejmani, këshilltar komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, deklaron se Harta zonale e Komunës do të tregojë edhe gjendjen reale sa u përket edhe uzurpimeve të pronës dhe devijimeve urbanistike. Ai thotë se shuarja e Drejtorisë së Inspektoratit ka kontribuar në degradimin dhe kaosin urbanistik. “Të gjitha janë të lidhura, këta e kanë shuar Drejtorinë e Inspektoratit dhe kemi ndërtimet pa leje, kemi kaosin urbanistik. Gjithashtu kemi uzurpimet për të cilat kemi kërkuar nga Qeverisja lokale që të na ofrojë listën e uzurpatorëve. Mirëpo ata nuk kanë pranuar. Dhe hartimi i Hartës zonale të Komunës do të shpërfaqë shumë gjëra që kanë të bëjnë me degradimin urban. Edhe rikthimi i Drejtorisë së Inspektoratit do të ketë telashet e veta, sepse dëmet veçse janë bërë dhe Inspektorati nëse punohet drejt për të cilat premtojmë në qeverisjen tonë do të ketë telashe në punë, sepse do të trashëgojmë një qytet, i cili është në kaos”, ka thënë ai.

Ndërsa Avdyl Aliu, shef i Grupit të këshilltarëve komunalë të LDK-së, deklaron se me ardhjen e tyre në pushtet, në bashkëpunim edhe me partitë e tjera politike, do të bëjnë ndryshimin e Statutit të Komunës edhe një herë dhe do të rikthejnë Drejtorinë e Inspektoratit. Ai thotë se hartimi i Hartës zonale të Komunës është në dispozicion të zhvillimit komunal. “Punën e parë që do të kemi në qeverisjen e re është ndërrimi i Statutit të Komunës, ku edhe Drejtoria e Inspektoratit do të jetë drejtori më vete. Harta zonale do të jetë në funksion të planifikimit më të mirë të qytetit dhe kanë për t’u kryer krejt planet detaje në krejt zonat. Harta zonale është një bazë e mirë edhe për Inspektoratin, edhe për planifikimin në përgjithësi. Por gjëja e parë që do të bëjmë është të rikthejmë Drejtorinë e Inspektoratit dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim edhe me partitë e tjera politike, sepse ne do të gjejmë partnerë edhe në Kuvendin Komunal të Gjilanit”, ka thënë ai.

Votën pro për rikthimin Drejtorisë së Inspektoratit e kanë premtuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektet e tjera politike, të cilat përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Gjilanit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme