Veliu e Potera tregojnë çka i çoi në balotazh e cilat ishin pritjet e tyre në raundin e parë

Veliu e Potera tregojnë çka i çoi në balotazh e cilat ishin pritjet e tyre në raundin e parë

06 nëntor 2017 23:58

Kryetari i Komunës së Podujevës, njëherësh kandidat edhe për një mandat për këtë post, Agim Veliu nga LDK, në Interaktiv të KTV-së, në debatin për balotazh me Ajet Poterën e Vetëvendosjes, ka thënë se nuk ka qenë mos-puna e tij që e ka çuar në balotazh.

“Kemi realizuar më shumë se që kemi premtuar dhe nuk besoj se ka qenë mos-puna ajo që më ka çuar në balotazh”, tha Veliu.

Ajet Potera nga Vetëvendosje ka thënë se ka pritur që të ketë rezultat më të mirë në këtë garë.

“Ndoshta aktivizimi i madh i LDK-së, në krye me Agim Veliun, ka bërë që diferenca të jetë kaq e madhe. Ai është angazhuar aq shumë për të fituar pa balotazh. LDK ka ditur të shfrytëzojë mirë fushatën duke realizuar projekte në kohë fushate”, ka thënë Potera.

Ai ka thënë se dëshiron të dijë se si do t’i realizojë gjithë ato premtime të Veliut të bërë gjatë fushatës.

Veliu ndërkaq ka thënë se gjatë 3 viteve, buxheti i Komunës së Podujevës është shpenzuar deri në 98 për qind, “dhe presim që edhe këtë vit ta çojmë në atë lartësi”.

“Buxheti i komunës nuk mbyllet deri në fund të dhjetorit. Të gjitha projektet do të përmbyllen me dinamikën e paraparë”, tha Veliu, duke theksuar se nuk qëndron ajo që thotë Potera se është shfrytëzuar koha e fushatës për të përfunduar projekte.

Ai tha se nuk ka pasur asnjë shkelje buxhetore gjatë mandatit të tij të fundit.

Duke folur për Bulevardin e qytetit të Podujevës, Veliu ka thënë se nuk ka pasur projekte të mira dhe për pasojë mjetet janë rialokuar. Ato mjete, sipas Veliut, janë orientuar më pas në shtrimin e rrugëve.

Potera i VV-së tha se projekti i pastrimit të lumit “Llap” nuk është realizuar si duhet, duke prezantuar gjendjen e tanishme të lumit, që shihej të jetë në gjendje jo të mirë.

Ai tha se në qeverisjen e tij, do të ketë parametra të saktë të shtrimit të rrugëve.

“Qytetari do ta dijë saktë se sa do të kushtojë kilometri, sa do të jetë gjatësia, trashësia... Kjo nuk duhet të bëhet vetëm në nivel të komunës së sonë, por në nivel vendi. Më shqetëson fakti se pse kemi një dallim aq të madh në infrastrukturë me Prishtinën”, tha ai.

Tutje, Veliu tha se për projekte të zhvilluara në komunën që ai drejton janë përzgjedhur gjithmonë kompanitë më serioze, dhe tha se asnjëherë nuk është dashur që një punë e përfunduar të ribëhet për shkak të punës së dobët.

Ai tha se projekti i impiantit të ujërave të zeza do të realizohet.

Për shefin e Prokurimit në Komunën e Podujevës pati polemika mes dy kandidatëve. Veliu tha se Ibrahim Hoxha nuk është më i punësuar në komunë, mirëpo punon vetëm me kontratë mbi vepër si këshilltar i jashtëm, ndërsa Potera tha se ai ende vazhdon të jetë në atë post, edhe pas pensionimit, pasi që ende nuk është hapur konkursi për atë pozitë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme