Parteshi shkon në rivotim, konfirmohet blerja e votave nga kandidati i Listës Serbe Foto: Koha / ilustrim

Parteshi shkon në rivotim, konfirmohet blerja e votave nga kandidati i Listës Serbe

04 nëntor 2017 21:34

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka marrë vendim që në komunën e Parteshit të përsëriten zgjedhjet.

Ky vendim i PZAP-së vjen pas ankesës së kandidatit Nenad Cvetkoviq, i cili akuzoi kandidatin e Listës Serbe, Dragan Petkoviq, për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor. E për këtë gjë, dy ditë para zgjedhjeve të 22 tetorit, televizioni publik ka transmetuar një kronikë hulumtuese që dëshmon për manipulim të procesit zgjedhor në Komunën e Parteshit.

Se aty kanë ndodhur blerje masive votash, është vërtetuar edhe nga paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, organ i cili ka obliguar KQZ-në që të ketë rivotim në komunën e Parteshit për shkak të dallavere me blerjen e votave.

Në arsyetimin disa faqesh të PZAP-së thuhet se pas ankesës të kandidatit për kryetar të komunës Nenad Cvetkoviq, për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor nga kandidati i listës serbe Dragan Petkoviq, kjo komunë duhet të shkojë në rivotim.

Sipas vendimit të PZAP-së, Dragan Petkoviq nga Lista Serbe kishte blerë vota nga 30 deri në 50 euro, krejt kjo që votuesit në këtë komunë të votojnë për të. Se Komuna e Parteshit do të shkojë në rivotim, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas tij, gjasat që rivotimi të ndodhë sërish në këtë komunë do të jetë më 19 nëntor. Përveç në Komunën e Parteshit, dyshime për blerje votash dhe komplet manipulim të procesit zgjedhor më 22 tetor ka pasur edhe në komunat e veriut të Kosovës nga zyrtarët e Listës Serbe.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme